Eurodeputetët kërkojnë që Serbisë t’i ngrihen fondet e BE-së
Në Parlamentin Evropian (PE) dje është diskutuar për situatën në veri të Kosovës, pas agresionit të Serbisë të kryer më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku është vrarë polici Afrim Bunjaku.
Eurodeputetët kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Gjithashtu, ata kanë kërkur nga Kosova dhe Serbia që ta deeskalojnë situatën në veri dhe t’i kthehen dialogut.
Gjatë diskutimeve, deputetët e PE-së kanë kërkuar që Serbisë t’i ngrihen fondet e BE-së.
Komisionari evropian për ndihmën humanitare dhe menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiq, ka vlerësuar se shkalla e operacionit të 24 shtatorit ishte e paprecedentë.
“Ky është një alarm i fortë se gjendja në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë. BE-ja po ndjek nga afër hetimet në vazhdim dhe pret që autorët të sillen para drejtësisë dhe se Serbia do të bashkëpunojë plotësisht, duke përfshirë parandalimin e kontrabandës së armëve”, ka thënë ai, shkruan “European Wester Ballkans (EWB)”.
Ai ka shtuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej situatën.
Lenarçiq e ka cilësuar si shqetësuese retorikën nga Beogradi, si dhe mënyrën se si është shënuar dita e zisë.
Sipas tij, sulmi nuk duhet të përdoret si justifikim për të larguar vëmendjen nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ndërsa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se lidhjet e Milan Radojiçiqit, politikanit serb të Kosovës që ka udhëhequr sulmin, me Beogradin zyrtar janë më se të dukshme.
“Serbia duhet të bashkëpunojë pa kushte në hetim dhe të mbajë përgjegjës të gjithë ata që janë përgjegjës. I bëj thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së që të dërgojnë forca shtesë në KFOR”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Andreas Shider, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqi se i ka hedhur “zjarrit benzinë”, duke bërë thirrje për një reagim të fortë të BE-së.
Siç raporton “EWB”-ja, disa anëtarë të tjerë të Parlamentit Evropian, duke përfshirë Tineke Strik (Të Gjelbërit/EFA), Thomas Weitz (të Gjelbërit/EFA) dhe Tys Rojten (S&D), kanë bërë gjithashtu thirrje për ngrirjen e fondeve për Serbinë.
Parlamenti Evropian do të miratojë një rezolutë që dënon sulmin në Banjskë në seancën e dytë plenare të këtij muaji, e cila duhet të mbahet nga 16 deri më 19 tetor.