Eurodeputetët, Lajçakut: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

30 janar 2025 | 16:32

(Radio Evropa e Lirë) – Eurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

Lajçak, më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet e shteteve me bllokut.

Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

Sipas burimeve, mësohet se Lajçaku është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

Lajçaku përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

Në takim me eurodeputetët, Lajçaku mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

Lajçaku, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat…