Eurodeputetët takohen me Lajçakun, kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi

26 prill 2023 | 11:08

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takime me eurodeputetët e grupit të socialistëve dhe demokratëve.

Lajçaku përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” ka bërë me dije se me eurodeputetët ka folur rreth zhvillimeve të fundit në dialog si dhe Ballkanin Perëndimor.

“Jam mirënjohës për interesimin e tyre në rajon dhe mbështetjen për të ardhmen evropiane”, ka shkruar Lajçaku.

Edhe socialistët dhe demokratët kanë shkruar në profilin e tyre në “Twitter” për takimin me të dërguarin evropian me ç’rast njoftuan se kanë diskutuar për dialogun para takimit të 2 majit.

“Ne bëjmë thirrje për zbatimin e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, është thënë në njoftimin e eurodeputetëve.

Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Ky takim vjen pas atij të Ohrit ku palët ishin pajtuar për aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani po viziton sot Maqedoninë e Veriut. Ajo…