Eurodeputeti gjerman i bën thirrje Qeverisë Kurti ta luftojë korrupsionin

05 nëntor 2021 | 13:29

Eurodeputeti gjerman Romeo Franz në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që të luftojë korrupsionin dhe të sjellë sundim të ligjit.

Ai tha se për këto qëllime qytetarët e Kosovës e kanë votuar me shumicë votash, prandaj edhe Qeveria Kurti duhet të dëshmojë vullnetin për reforma, njofton Klan Kosova.

Franz tha se edhe sipas Raportit të Progresit të fundit, Kosova ka bërë përmirësime në këtë drejtim, por se përmirësimi është shumë i ngadaltë.

“Një nga problemet kryesore mbetet korrupsioni, fatkeqësisht, ku i tërë një sistem është i afektuar nga korrupsioni. Administrata, sistemi gjyqësor dhe tregtia e korruptuar e pengojnë zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Kosova është në fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit. Ai shtë i përhapur gjerësisht dhe na shqetëson të gjithë neve”.

“Bëj thirrje qeverisë së re që vullneti i fuqishëm dhe i qartë politik është esencial për të luftuar rrisqet sistematike të korrupsinit në mënyrë efikase dhe për të mundësuar një përgjgije të qartë ndaj akteve kriminale. Për këtë duhet të kemi institucione të fuqishme dhe të pavarura që s’pranojnë ndikim politik. Pakoja legjislative për luftën kundër korrupsionit dhe kodi i rishikuar penal s’janë miratuar ende. Qeveria duhet ta dëshmojë vullnetin për reforma, sepse kjo është mënyra e vetme që e kthejnë besimin e qytetarëve në shtet dhe në institucionet e shtetit”.

Franz, gjatë sesionit të dytë të punës së takimit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, tha se populli dëshiron stabilitet në Kosovë, prandaj bashkëpunimi konstruktiv i pozitës me opozitën dhe shoqërinë civile tha se do të kontribuojë në zbatimin e rregulloreve ekzistuese.

Gjithashtu, ai tha se përkundër ligjeve të mira që i ka Kosovë ende mungon zbatimi i ligjeve.

Ndërkaq, Franz tha se pajtohet me deklaratat e kryeministrit Kurti që i bëri në samitin në Slloveni derisa lavdëroi qasjen e tij ndaj BE-së.

“BE është duke mbështetur të gjitha vendet që duan t’i bashkohen BE-së dhe këtu duhet të respektohet lufta kundër korrupsionit. Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur me një shumicë të madhe pikërisht për këtë dhe ata janë të përkushtuar ndaj vlerave të BE-së dhe gjithashtu janë të përkushtuar për të intesifkuar sundimin e ligjit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ka pritur delegacionin e mundjes,…