Eurodeputeti gjerman, Lajçakut: Po anon kah agresori

29 qershor 2023 | 08:10

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka hedhur kritika ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Gahler i tha diplomatit sllovak përgjatë një diskutimi në Bruksel se po anon më shumë kah agresori sesa kah viktima.

“Duke parë aktivitetet tuaja që kur e keni marrë funksionin tuaj, ju shoh më tepër në anën e agresorit, jo të viktimës në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve?”, pyeti ai.

“Ajo që nuk e di, zoti Lajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej ta kritikonit publikisht edhe Vuçiqin? A nuk duhej që BE-ja të ndalonte apo të kërcënonte se do ta pakësonte fluksin e parave në Serbi? A nuk duhet t’i drejtoheni nacionalizmit serb që është shkaku kryesor i pasigurisë dhe frikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor? Cilat janë fjalët tuajs dhe të Borrell për qytetarët e Serbisë që protestojnë në numër të madh kundër qeverisë së tyre?”, tha ai.

“Mendoj se Kosova është vendi më properëndimor në rajon me arritje politike që tregojnë në drejtimin tonë, arritje kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë stabile, rritje ekonomike, një qeveri me mbështetje të lartë publike dhe në linjë 100% me deklaratat e politikës sonë të jashtme”.

Sipas tij, Kosova është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, “por po kërkon ndërmjetës të ndershëm”.

Mes të tjerash, ai e pyeti Lajçakun se kur do të kthehet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga konfrontimi në bashkëpunim, nga nacionalizmi në njohje dhe ta bëjë “një ndryshim politik që do të meritonte vërtet mbështetjen e BE-së”.

“Dhe nuk do të hyja në detaje të mëtejshme në atë që kemi parë me siguri se kush ishte i përgatitur të nënshkruante diçka ose kujt iu kërkua të kishte ndonjë nënshkrim në një letër të bardhë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pranë Konsullatës së ShBA-së…