Eurodeputeti Lukas Mandl: Kosova dhe Serbia nuk duhet të merren si të njëjta, njëra ka qenë viktimë e tjetra agresore
Eurodeputeti Lukas Mandl, e ka vlerësuar si historik aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në diskutimin e Parlamentit Evropian për anëtarësimin e Kosovës në BE, Mandl ka thënë se nuk duhet të mendohen si të njëjta Kosova dhe Serbia, pasi njëra ka qenë viktima dhe tjetra agresori.
“Kemi një javë që do të merren disa vendime shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të mendojmë se këto dy vende janë të njëjta, jo, sepse historikisht një vend ka qenë agresori dhe tjetri ka qenë viktima. Gjatë kësaj kohe kemi parë se një vend nuk ka qëndruar pro sanksioneve dhe një shtet tjetër ka qenë plotësisht pro sanksioneve dhe në përputhje të plotë me të gjithë politikën tonë të sigurisë”.
Tutje, Mandl tha se viti 2022 u mësoi liderëve në botë se duhet të jenë të bashkuar për t’i mbrojtur vlerat evropiane, diçka që ai tha se Kosova e ka bërë për dekada të tëra të detyruar nga agresioni i Serbisë.
Ai ka theksuar se Kosova ka treguar shembull se si luftohet dhe krijohet shteti modern.
“Nuk duhet të harrojmë që ka qenë viti i njëjtë kur bota e lirë ka qenë më e bashkuar se kurrë dhe shumë aktorë në botën e lirë e kuptuan më shumë se është e rëndësishme që të kujdesemi për lirinë tonë, vlerat tona, për t’i mbrojtur ato kundër agresionit.
Kjo është diçka që qytetarët e Kosovës kanë dekada që e bëjnë dhe janë detyruar ta bëjnë fatkeqësisht meqë janë ata që janë sulmuar para 25 vjetësh dhe ata na treguan një shembull të qartë se si mund të luftonin por edhe si të krijonin një shtet modern, shtet me kushtetutë moderne, me sundim ligji”, ka thënë Mandl.
Eurodeputeti i ka bërë thirrje organeve të BE-së që ta ketë parasysh qasjen vizionare që ka Kosova dhe dëshirën e 90% të qytetarëve kosovarë për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Sipas Mandl, Kosova është më gati për BE sesa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e Serbia qëndron e fundit.
“Përveç metodologjisë, përveç qasjes burokratike nga ana jonë, përveç pyetësorit që duhet të keni ju, përveç agjendave tona, ne duhet të bëjmë një pyetje: kush është gati për vlerat evropiane, kush është gati për të kuptuar siç duhet lirinë, dinjitetin njerëzor, demokracinë, sundimin e ligjit dhe atëherë mund të shikojmë se në Ballkanin Perëndimor nga të gjitha vendet, Kosova është më gati për këtë çështje se të gjitha të tjerat dhe Serbia është e fundit”.
Mandl ka inkurajuar BE-në që ta shqyrtojë mirë aplikimin e Kosovës.
“Duhet të inkurajojmë presidencën e BE-së dhe gjithë Këshillin e BE-së që të shikojnë me thellësi aplikimin që ka bërë Kosova për anëtarësim dhe të mos e mbajmë mendjen te burokracia por të shikojnë vizionin, lidershipin”.