Eurodeputeti Olivier Dupuis, “përfaqësues politik” i UÇK-së në Parlamentin Europian (4)

16 tetor 2023 | 16:01

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (IV)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive, në vazhdimin e pjesës së katërt, ka theksuar se heqja e cilësimit “terrorist” dhe afirmimi ndërkombëtar i UÇK-së si organizatë çlirimtare që duhej të përfshihej në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës hapi rrugë për një aktivitet intensiv diplomatik. Ai ka folur për takimet shumë të rëndësishme që kanë pasur në institucionet e BE-së dhe fjalimin e tij në Parlamentin Evropian për ta përkrahur luftën e UÇK-së, duke theksuar se kontribut të madh për organizimin e këtyre takimeve ka pasur aktivisti i shquar për mbrojtjen e të drejtave, Paul Staal. Në këtë intervistë Bardhyl Mahmuti tregon se si deputeti me origjinë belge, Olivier Dupuis, mbështeti fjalimin e tij dhe doli në përkrahje publike të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës.

“Epoka e re”: Nga një numër i konsiderueshëm shkrimesh që u publikua në atë kohë në mediat vendore dhe ndërkombëtare del në mënyrë të pakontestueshme se Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, z. Adem Demaçi, zëdhënësi i saj, z. Jakup Krasniqi dhe ju vazhdimisht mohonit përfshirjen e UÇK-së në këto vrasje dhe përgjegjëse për krimet ndaj civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë e bënit Shërbimin e fshehtë serb. A kishit ndonjë element që lidhej me kontekstin politik që do të ndihmonte të shpjegonte arsyet përse Serbia do të bënte një krim kaq të shëmtuar edhe kundër adoleshentëve serbë e malazezë?
Bardhyl Mahmuti: Heqja e cilësimit “terrorist” dhe afirmimi ndërkombëtarë i UÇK-së si organizatë çlirimtare që duhej të përfshihej në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës hapi rrugë për një aktivitet intensiv diplomatik.
Një muaj pas shpalljes së armëpushimit në mënyrë të njëanshme nga UÇK-ja, ne u ftuam në takime shumë të rëndësishme në institucionet e BE-së. Me sa mbaj mend, Adem Demaçi nuk mundi të vinte në Bruksel për disa arsye objektive. Prandaj në këto takime më shoqëroi Sabri Kiçmari, anëtarë i Grupit Diplomatik të UÇK-së. Vlen të përmendim se një kontribut të madh për organizimin e këtyre takimeve ka pasur aktivisti i shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe drejtues i organizatës joqeveritare holandeze “Press Now”, z. Paul Staal.
Fillimisht organizatorët kishin paraparë që pjesëmarrja jonë të ishte në kuadër të delegacionit të përbashkët të Kosovës, i përbërë nga tre drejtues të LDK-së (Fehmi Agani, Alush Gashi dhe Edita Tahiri) dhe publicisti Veton Surroi. Ne ua bëmë me dije se e shihnim të domosdoshme që, në të gjitha takimet, të kishim kohën tonë për të shpjeguar pikëpamjet dhe orientimet e UÇK-së, sepse pikërisht kundër nesh Serbia bënte shpifjet më të mëdha. Debatet rreth kërkesave tona zgjatën tërë pasdarken dhe, rreth orës 2 të mëngjesit, nënshkruam marrëveshjen.
Brenda tri ditësh (10, 11 dhe 12 nëntor 1998) ne zhvilluam një sërë takimesh shumë të rëndësishme. Do të flas më gjerësisht rreth këtyre takimeve, për arsye se mund të hapin një shteg të ri për të kuptuar intensifikimin e vrasjeve të civilëve të të gjitha përkatësive etnike në Kosovë nga ana e regjimit të Millosheviqit dhe fushatën propagandistike për t’ia veshur UÇK-së këto krime.
Takimin e parë e patëm në Parlamentin Europian. Kryesuesja e Komisionit për Politikë të Jashtme e Parlamentit Europian, zonja Doris Pack, reagoi shumë keq kur e kuptoi se agjenda kishte ndryshuar dhe, sipas marrëveshjes së re, neve duhej të na jepej minutazh i njëjtë sikurse delegacionit të LDK-së.
Me zonjën Pack isha takuar edhe dy herë të tjera në kuadër të takimeve për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni (Në këto takime përfaqësoja LPK-në, ndërkaq Shaip Bilallin, Partinë për Prosperitet Demokratik në Maqedoni). Gjuha që përdori ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që mbaja në mend nga takimet e mëparshme. Me një gjuhë kërcënuese na kërkoi të pranonim agjendën e vjetër, përndryshe nuk do të na linte të hynim në sallën e parlamentit.
Ia bëra me dije se nuk mund të fliste me ne me atë gjuhë dhe nëse nuk kishim mundësi të shpalosnim pikëpamjet tona përpara parlamentarëve europian, do ta bënim në konferencë me gazetarët e akredituar në këtë institucion të BE-së.
Pesë minuta pas largimit të saj në mënyrë demonstrative, u kthye sërish te ne. Na kërkoi falje për sjelljet e saj dhe u morëm vesh për modalitetet e prezantimit tonë.

“Epoka e re”: Për aq sa më kujtohet, në këtë rast ju shpërndatë një material prej 120 faqesh që dëshmonte për shkeljet nga ana e Serbisë të rekomandimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara, mosrespektimin e armëpushimit dhe krimet që ishin bërë gjatë kësaj kohe.
Bardhyl Mahmuti: Po! Ishin të dhëna që kryesish kishte publikuar Qendra për Informim e Kosovës, e udhëhequr nga Enver Maloku. Zonja Pack pranoi që këtë material t’ua shpërndajë 650 deputetëve të Parlamentit Europian.
Gjatë 30 minutave që ishin rezervuar për fjalën time, shtrova shtyllat kryesore të orientimit politik të UÇK-së dhe mjeteve që përdornim në luftën tonë çlirimtare. Në mënyrë të veçantë u ndala rreth mjeteve që përdornim në luftën tonë çlirimtare dhe qëndrimit tonë kategorik që përjashtonte çfarëdo forme të aksioneve terroriste. Në fund kërkova nga deputetët e Parlamentit Europian që të përkrahin UÇK-në dhe luftën tonë, si një e drejtë e pakontestueshme e një populli të robëruar. Pas fjalës sime u hap debat ku deputetët shprehnin qëndrimet e tyre rreth luftës sonë.

“Epoka e re”: Pa fjalës suaj dhe kërkesës për mbështetje të UÇK-së si reaguan deputetët e Parlamentit Europian?
Bardhyl Mahmuti: Ndër të parët që mori fjalën ishte deputeti me origjinë belge, z. Olivier Dupuis (Olivie Dypyi), që ishte zgjedhur si deputet i Listës Emma Bonino (Partia Radikale Transnacionale). Ai e mbështeti tërësisht fjalimin tim dhe doli në përkrahje publike të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. Fjala e tij pati aq jehonë saqë njëri nga deputetët, emri i të cilit nuk më kujtohet, deklaroi se në të ardhmen UÇK-ja do të ketë z. Olivier Dupuis si përfaqësues të vetin politik në Parlamentin Europian. Kishte deputetë që kërkuan mendimin tonë përse nuk ndërprisnim luftën e armatosur dhe, në vend të konfrontimeve me pasoja të mëdha, të bashkoheshim politikisht me opozitën serbe për të rrëzuar Sllobodan Millosheviqin nga pushteti dhe pastaj t’i realizonim të drejtat tona politike në kuadër të një Serbie demokratike.
Meqenëse në mesin e deputetëve kishte të moshuar, ndoshta edhe pjesëmarrës të Luftës së Dytë Botërore, u përgjigja me përmbysje të perspektivës së kësaj çështjeje, përgjigje që pati jehonë të madhe në mediat e asaj kohe: “Ju të nderuar deputetë të këtij parlamenti, apo prindërit e juaj, nuk keni pritur demokratizimin e Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, por keni rrokur armët për t’u çliruar. Këtë të drejtë legjitime nuk mund t’ia mohoni as popullit tonë të robëruar”.

No description available.

Krahasimi i Serbisë së Millosheviqit me Gjermaninë e Hitlerit nuk i pëlqeu zonjës Doris Pack dhe e konsideroi si të pavend. Mirëpo disa deputetë reaguan ndaj saj duke më mbështetur plotësisht, ndërkaq z. Olivier Dupuis kërkoi që Parlamenti Europian të përkrahte iniciativën që kishte ndërmarrë, që Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të ngrinte padi kundër Sllobodan Millosheviqit për krimet në Kosovë. Pas prezantimit në Parlamentin Europian u pritëm në Komisionin Evropian, ku shtruam kërkesa për nevojën për të ngritur shkallën e mobilizimit me qëllim që të shmangej thellimi i katastrofës humanitare që përjetonte popullsia civile shqiptare e Kosovës, kërkuam ndihmë për transferimin e të plagosurve në spitalet europiane, ndihmë në barna, në mjete për t’u strehuar dhe ndihma për UÇK-në mbi supet e së cilës kishte rënë barra e kësaj krize humanitare.
Takimi vijues u bë me senatorë të Belgjikës, në mesin e të cilëve kishte edhe të atillë që shprehnin brengosje se kërkesa jonë për pavarësi nënkuptonte ndryshim të kufijve dhe rrjedhimisht destabilizim të paqes së qëndrueshme. Madje një senator kërkoi të mendonim rreth ndonjë zgjidhje kompromisi (autonomi të zgjeruar) që nuk do të cenonte kufijtë.
Qëndrimi yni ishte i qartë: BE-ja duhet të dalë nga logjika e mitizimit të kufijve, sepse këta kufi ishin të padrejtë dhe gjenerator të konflikteve të vazhdueshme. Përmendëm shembuj të shumtë të ndryshimit të kufijve gjatë procesit të dekolonializmit (në Afrikë dhe në Azi) dhe gjatë procesit të shpërbërjes së federatave socialiste të BRSS dhe të Jugosllavisë. Gjatë fjalës sime dy herë e theksova se Serbia ka hapur një hendek të madh ndërmjet saj dhe Kosovës dhe e ka mbushur plot e përplot kufoma fëmijësh, grash, pleqsh dhe shqiptarësh të të gjitha moshave. Vetëm pavarësia e Kosovës është garanci për paqe të qëndrueshme. Për ne ishte kënaqësi që gjatë këtij takimi gjetëm mbështetje të madhe nga një numër i konsiderueshëm senatorësh, në mesin e të cilëve u dallua senatorja Anne-Marie Lizin, mikeshë e Adem Demaçit, me të cilën kishim shkëmbyer mendimet tona disa muaj më parë, në Selinë e OKB-së në Gjenevë.
Në këtë rast po bëj një shmangie të vogël nga tema dhe po sqaroj për lexuesin se bëhet fjalë për senatoren e cila në takimin që patëm në Prishtinë pas çlirimit të Kosovës deklaroi pa asnjë hamendje:

No description available.

Takimet tona vazhduan në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, me ministrin e Jashtëm të Austrisë, z. Wolgang Schüssel (i cili përfaqësonte pesëmbëdhjetë vendet e BE-së për arsye se në atë kohë Austria ishte kryesuese e radhës e Bashkimit Europian). Në këtë takim z. Schüssel shoqërohej nga ambasadori i Austrisë në Beograd, z. Wolfgang Petritsch (i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovë) dhe nga z. Peter Hohenfellner (Drejtorin Politik në Ministrinë e Jashtme të Austrisë). Është me rëndësi për lexuesin të përmend se që në fjalët e para, ministri Schüssel e cilësoi takimin si “shumë të rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe për UÇK-në, sepse nuk lë asnjë dyshim rreth qëndrimit të BE-së për domosdoshmërinë e përfshirjes së UÇK-së në bisedime për ardhmërinë politike të Kosovës.”.
Në këtë takim dhe në takimet që patëm me ministrin e Jashtëm i Holandës, z. Jozias van Aartsen, me anëtarët e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit të Holandës, dhe me sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, z. Wolfgang Ischinger dhe zv. Drejtorin dhe zëdhënësin e MPJ të RFGJ, z. Martin Erdmann, ne kërkuam që të përkrahin luftën tonë të drejtë dhe kërkesën legjitime të popullit shqiptar për pavarësinë e Kosovës, si zgjidhje e vetme për një paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të Europës Juglindore.

No description available.

Takimet diplomatike të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës me diplomatët amerikanë dhe udhëheqësit e institucioneve kryesore të BE-së, dëshmonin për legjitimitetin që kishte fituar lufta jonë dhe vetëdijesimin i akterëve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare për domosdoshmërinë e përfshirjes së përfaqësuesve të UÇK-së në procesin e zgjidhjes politike përfundimtare të Çështjes së Kosovës.
Të vetëdijshëm se përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të bënin asnjë kompromis që do të ishte në kundërshtim me vullnetin politik të popullit shqiptar, regjimi i Sllobodan Millosheviqit vuri në lëvizje të gjitha mekanizmat që të prezantonte UÇK-në si “organizatë terroriste” dhe t’ia pamundësonte përfshirjen e saj në bisedimet për ardhmërinë politike të Kosovës. Në këtë kontekst duhet të shihet edhe vendimi për intensifikimin e vrasjeve të civilëve serbë dhe malazezë dhe propaganda që këto vrasje t’i visheshin UÇK-së.

“Epoka e re”: Në deklaratën politike nr 21, të publikuar tri ditë pas krimit në kafenenë “Panda”, UÇK-ja sqaronte opinionin publik se as nuk e kishte kryer dhe as nuk kishte nxitur vrasjen e të rinjve serbë, dhe shprehu bindjen se prapa këtij krimi mizor qëndronte Shërbimi Sekret i Serbisë. Pesëmbëdhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje tragjike, doli e saktë bindja që kishit shprehur në atë kohë. Personalitete të skenës politike të Serbisë si Vuk Drashkoviq, Aleksandar Vuçiq e të tjerë pohuan publikisht se krimi në kafenenë “Panda” ishte kryer me urdhër të Sllobodan Millosheviqit dhe ishte ekzekutuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Megjithatë ka njerëz që edhe sot e kësaj dite nuk e dinë të vërtetën e kësaj tragjedie.
Bardhyl Mahmuti: Më lejoni të sqaroj për lexuesit që nuk e dinë përfundimin e tmerreve që përjetuan Behar Bajri, Vllaznim Përgjegjaj, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Agron Kollçaku dhe Beqir Loxhaj të cilët hetuesia millosheviqiane i detyroi të pranonin fajësinë për kryerjen e këtij krimi dhe për vrasjen e shumë policëve. Pas dhjetë muaj torturash mizore dhe dhune të të gjitha formave, më 18 tetor 1999, në Gjykatën e Qarkut të Leskovcit, filloi gjykimi kundër tyre. Që në hapje të procesit gjyqësor të gjithë të akuzuarit hodhën poshtë akuzat dhe u deklaruan të pafajshëm. Ata sqaruan se kishin qenë të detyruar të nënshkruanin deklaratat me të cilat pohonin vrasjet e lartpërmendura dhe se realisht nuk kishin qenë pjesëmarrës në asnjë vrasje. Të akuzuarit zhveshën këmishët në prani të atyre që ishin në sallën e gjykatës dhe treguan shenjat e plagëve nga torturat. Shenjat e prerjeve me thika dhe djegieve me zjarr, si në kohën e inkuizicionit, i tmerruan të pranishmit në sallën e Gjykatës së Qarkut në Leskovc. Përballë kësaj situate të paparashikuar, gjykatësi ndërpreu gjykimin. Tri javë më vonë, më 9 nëntor 1999, rifilloi procesi gjyqësor. Prokurori i njoftoi të akuzuarit se ishin liruar nga akuza për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë dhe malazez në kafenenë “Panda”. Për të mos i liruar si të pafajshëm, gjashtë të rinjtë shqiptarë u dënuan me nga një vjet burg si anëtarë të “grupit terrorist Bombaši” dhe si “pjesëtarë të UÇK-së që kishin vrarë shumë policë në fshatrat Prilep dhe Carrabreg të Komunës së Deçanit”.
Siç e përmendët edhe ju, pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes Në kafenenë “Panda”, Zëvendëskryeministri i Jugosllavisë dhe përgjegjësi për politikë të jashtme të këtij shteti gjatë luftës në Kosovë, Vuk Drashkoviq bëri publike se “në atë kohë, Shtabi Strategjik i Millosheviqit kishte vendosur që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të ndërmerrte sulme terroriste kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive të tjera etnike, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Nëpërmjet kësaj strategjie synoheshin dy qëllime: 1. Në sytë e opinionit publik ndërkombëtar, UÇK-ja të prezantohej si organizatë terroriste dhe 2. T’u jepej zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë.
Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Markoviqin, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legijas, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë”.

No description available.

Jo vetëm në kohën kur ndodhi ky krim, por në vazhdimësi jemi përpjekur të sqarojmë se në asnjë rast civilët nuk kanë qenë objekt sulmi i UÇK-së. Nëse analizojmë objektivisht efektet e propagandës shtetërore serbe, do të bindemi se në rrafshin e brendshëm kjo propagandë realizoi tërësisht qëllimin për të nxitur urrejtjen antishqiptare: Mësimi u ndërpre në të gjitha nivelet e arsimit, nga shkollat fillore e deri te universitetet, dhe në katër anët e Serbisë u organizuan protesta në të cilën kërkohej “të merreshin aksione efikase për shkatërrimin e terrorizmit shqiptar.”. Ndërkaq në rrafshin ndërkombëtar, Serbia shfrytëzoi të gjitha kanalet diplomatike të trashëguara nga procesi i shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë dhe nuk la institucion politik ose bibliotekë universitare në botë pa i dërguar “librat e bardhë” që kishte përpiluar me qëllim të nxinin luftën tonë çlirimtare. Kjo qasje ka dhënë rezultatet e veta dhe jo rastësisht në qarqe të caktuara politike dhe intelektuale ndërkombëtare ka të tillë që i besuan vërtetësisë së sajesave të Shërbimit Sekret serb.
Kam bindjen e plotë se nëse pyesim politikanët, deputetët, diplomatët, historianët, juristët dhe gazetarët shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë për identitetin e personave që përmenden në numrat rendorë 36-41 të listës së “civilë serbë të vrarë”, vrasja e të cilëve i atribuohet UÇK-së, mund të jenë të rrallë ata që e dinë se Ivan Obradović (14 vjeç), Dragan Trifović (16 vjeç), Vukota Gvozdenović (16 vjeç), Svetislav Ristić (16 vjeç), Zoran Stanojević(16 vjeç) dhe Ivan Radević (27 vjeç) janë të rinjtë serbë e malazezë që u vranë nga Shërbimi Sekret i Serbisë në kafenenë “Panda”.
Imagjinoni çfarë përshtypjeje kanë mundur të krijojnë politikanët, parlamentarët, diplomatët, historianët, juristët, gazetarët amerikanë, anglezë, francezë apo të cilësdo përkatësi kombëtare qofshin të cilët gjatë studimeve të veta kanë lexuar tekste të tilla që shtrembërojnë tërësisht të vërtetën! Nuk kemi ardhur rastësisht në pozitën që jemi sot!

“Epoka e re”: Në dallim nga shumica e veprave të autorë shqiptarë të Kosovës (Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi, Ramë Buja etj) që kanë trajtuar aspekte të ndryshme të luftës në Kosovë dhe të Paqes së përgjakshme, veprat e të cilëve nuk u përkthyen në gjuhë të huaja, vepra juaj “Mashtrimi i madh” është përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze dhe atë frënge. Mirëpo, përpara disa vitesh, opinioni publik në Kosovë u njoftua se një numër i madh i i ekzemplarëve të librit në gjuhën anglezë, të cilat i ishin dhënë falas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ishin futur në depo të kësaj ministrie.
Bardhyl Mahmuti: Është e vërtetë se falë angazhimit të jashtëzakonshëm të një numri veprimtarësh të kauzës kombëtare, ku do të veçoja Ramadan Avdiun, Agush Bujën, Adnan Asllanin dhe Isuf Sherifin, libri u përkthye në disa gjuhë të botës. Mbi 1000 ekzemplarë të librit në gjuhën angleze iu dhanë falas MPJ të Kosovës. Nga ky kontingjent librash disa diplomatë (ku veçohen Ramadan Avdiu, Arjan Kashtanjeva dhe Sabri Kiçmari), deputetë të Kuvendit të Kosovës (sidomos Elmi Reçica dhe Bilall Sherifi) në kontakte me politikanë dhe diplomatë të huaj ua kanë dhuruar versionin në gjuhën angleze të veprës “Mashtrimi i madh”. Përveç shpërndarjes në qarqe diplomatike dhe bartës të institucioneve politike ndërkombëtare, libri u është dhuruar njerëzve me influencë dhe bibliotekave universitare nga profesori i Universitetit të Prizrenit, Shkëlqim Millaku, veprimtari politik në Gjermani Ilir Seferi, nga Ibrahim Xhemajli dhe Ixhet Lutfiu në Danimarkë, Iris Hoxha në SHBA etj.
Megjithatë, s’është sekret se ka pasur të tillë që janë përpjekur ta pengojnë shpërndarjen e librit dhe në këtë rast do të përmend lajmin që u publikua para disa kohësh se në depot e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ishin dërguar një numër i caktuar i librit në gjuhën angleze. Pa marrë parasysh kush e ka bërë një gjë të tillë, fshehja e librit është në funksion të fshehjes së gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

No description available.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër (e martë) me fillim nga ora 18:00, Shqipëria në…