Eurodeputetja gjermane: Jam kundër KFOR-it, Kosova duhet të çarmatoset

03 qershor 2021 | 13:49

Eurodeputetja gjermane nga Partia e Majtë, Cornelia Ernst, ka thënë se pajtohet plotësisht me deklaratën kontroverse të koleges nga partia e saj, deputetes gjermane, Zaklin Nastiq, që në një fjalim në Bundestag mbi mandatin e KFOR-it, ka deklaruar se Kosova duhet të çarmatosur.

Në një përgjigje për “Klan Kosova”, Ernsti ka thënë se për Kosovën duhet të nisë një fillim i ri, por duke u çarmatosur në mënyrë të vazhdueshme.

“Edhe unë e refuzoj misionin e KFOR-it në Kosovë. Ky mision deri më tani nuk ka treguar pothuajse asnjë rezultat. Krimi i organizuar është i përhapur (në Kosovë), kështu ka thënë edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Qindra mijëra armë ndodhen në pronë private. Edhe ‘Amnesty International’ dhe Këshilli i Evropës kanë shprehur kritika në këtë çështje. Kosova duhet në mënyrë të vazhdueshme të çarmatoset. Vetëm kështu një fillim i ri është i mundur”, ka thënë ajo.

Përkundër mendimit negativ për Kosovën, Ernsti ka thënë se kishte votuar pro liberalizimit të vizave kur më 2018 ishte hedhur në votim në Parlamentin Evropian ku edhe kishte kaluar me shumicë votash rekomandimi i Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në fjalimin që është duke e përkrahur eurodeputetja, Nastiqi kishte krahasuar forcat ajrore të NATO-s që bombarduan caqet sebe për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë me ato të Hitlerit.

“Përpara 20 000 tonë bombave dhe municione uraniumi, banorët e Beogradit u desh të fshiheshin në të njëjtat strehimore të sulmeve ajrore siç bënë dikur forcat ajrore të Hitlerit”, kishte thënë Nastiqi.

Në postimin e Nastiqit në  llogarinë e vet në “Twitter”, ka pasur shumë komente që kritikonin një mendim të tillë kundër Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar liderët…