‘Euronews’: ShBA-ja kërkoi që aplikimi i Kosovës të mos futet në agjendën e KE-së, shkak asociacionit
Ministritë e Punëve të Jashtme të disa shteteve evropiane, anëtare të Këshillit të Evropës (KE), kanë marrë një notë nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilën është thënë se Uashingtoni konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE nuk duhet të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Sipas mediumit “Euronews” në gjuhën serbë, ShBA-ja ka kërkuar që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos vihet në agjendë derisa “Kosova të marrë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili do t’i hapte rrugën propozimit të marrëveshjes bazë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Sipas mediumit “Euronews” në gjuhën serbe, ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pranuar nga Italia, Franca dhe Gjermania.
“Së fundmi, një mesazh i ngjashëm ka ardhur edhe nga ambasada gjermane në Prishtinë, e cila ka theksuar se bllokimi i formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do ta vështirësojë sigurimin e shumicës së nevojshme të votave për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar “Euronews” në gjuhën serbe.
Kujtojmë se të martën në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë është mbajtur takimi i thirrur nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ku është diskutuar çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.