‘Europa nuk ia del dot vetëm’, Stoltenberg: Nuk na duhet parandaluesi bërthamor europian pa SHBA
Europa nuk është në gjendje që të mund të zhvillojë një parandalues bërthamor ku të mos përfshijë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu theksoi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
I pranishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Stoltenberg theksoi se, shmangia e SHBA-së nga mbrojtja e përbashkët bërthamore nuk është e dobishme.
“NATO ka një parandalues bërthamor të vendosur mirë. Ajo ka funksionuar për dekada. Është diçka që Shtetet e Bashkuara e bëjnë së bashku me aleatët evropianë. Ne kemi stërvitje, kemi doktrina dhe në fakt është diçka që bëjmë së bashku si NATO. Por ideja e zhvillimit të një lloji parandaluesi bërthamor të përbashkët paralel midis disa aleatëve të NATO-s, pa përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe as Britaninë e Madhe, nuk është e dobishme dhe vetëm do të minojë një parandalues bërthamor që ka funksionuar mirë për shumë vite”, tha Jens Stoltenberg.
Disa politikanë gjermanë kanë ngritur javët e fundit pretendimin që Evropa të zhvillojë parandalimin e saj bërthamor në mënyrë që të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e kontinentit.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha gjatë takimit me zv.presidenten e SHBA-së, Kamala Harris se Evropa duhet të forcojë aftësinë e saj për të mbrojtur veten, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme në SHBA ose si do të përfundojë lufta në Ukrainë.
Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Europian, shkon edhe më tej kur propozon krijimin e postit të Komisionerit të Mbrojtjes për Bashkimin Europian.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, presidentja e Komisionit tha se do të ishte “e arsyeshme” krijimi i postit nëse ajo vazhdonte si kryetare e ekzekutivit të BE-së pas zgjedhjeve të këtij qershori për Parlamentin Europian.
Konferenca e Sigurisë së Mynihut mbahet në një kohë kur shqetësimet po rriten në Evropë për angazhimin e SHBA për të ndihmuar Ukrainën të shmangë pushtimin e Rusisë dhe për të mbrojtur aleatët e saj më gjerësisht, mes frikës së kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.