“Europës i kanoset një rrezik”, shefi i NATO-s: Raketat e Rusisë kërcënojnë SHBA-në

12 nëntor 2024 | 22:40

Bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak në rritje midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit po kërcënon Evropën, Indo-Paqësorin dhe Amerikën e Veriut, Ky është paralajmërimi që ka ngritur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Rutte në takimin me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dha indirekt edhe një mesazh për Presidentin e zgjedhur Donald Trump, pasi nënvizoi rëndësinë e unitetit transatlantik dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë.

“Pas dorëzimit të municioneve dhe raketave balistike, Koreja e Veriut tani ka dërguar trupa për të luftuar dhe për të vdekur përkrah Rusisë në luftën e saj të paligjshme. Në këmbim, Rusia i ofron Koresë së Veriut financim dhe teknologji raketore. Kjo është shumë shqetësuese. Këto raketa paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për në territorin e Shteteve të Bashkuara, në Evropë, në Indo-Paqësor dhe në Euro-Atlantik më të gjerë”, tha Mark Rutte, sekretar i Përgjithshëm i NATO.

Rutte përshkroi atë që ai i shihte si rreziqet që vinin nga ndihma ushtarake e Koresë së Veriut dhe Iranit për Rusinë. “Në të njëjtën kohë, Kina mbështet ekonominë e Rusisë, mundëson industrinë e saj të mbrojtjes dhe përforcon narrativën e saj në të gjithë skenën botërore,” tha Rutte.

Nga ana e tij, Presidenti i Francës, Macron foli për domosdoshmërinë e një Ukraine të fortë dhe një Europe të fortë. “Një Ukrainë e fortë, saktësoi Macron,  do të thotë se mbështetja për këtë vend të sulmuar nga Rusia mbetet një prioritet absolut”. Duke iu drejtuar Rutte, Macron tha se sot “ne e dimë se mund të mbështetemi tek ju në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet transatlantike, për Ukrainën dhe për Evropën në tërësi”.

Rusia po përparon mbi Ukrainë me ritmin e saj më të shpejtë që nga viti 2022, pavarësisht humbjeve të mëdha. Ndërkohë Trump ka kritikuar shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka thënë se do t’i japë fund konfliktit në Ukrainë me shpejtësi, pa thënë se si.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga mërgata i Partisë Demokratike të Kosovës,…