Europoli kryen operacion kundër medieve të ISIS-it
Agjencia evropiane e policisë Europol ka bërë me dije se një operacion ndërkombëtar i ka shkaktuar “goditje të madhe” propagandës në grupit militant Shtetit Islamik (ISIS) në internet.
Specialistë të kibernetikës në vende të ndryshme të Evropës, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara kanë shënjestruar ueb-faqet e tij online, përfshirë agjencinë e lajmeve “Amaq”, e cila është parë si zëdhënëse kryesore e Shtetit Islamik.
Europoli ka theksuar se ka konfiskuar prova digjitale dhe serverë dhe se xhihadistët e Shtetit Islamik tani mund të identifikohen.
Shtetet e BE-së, të përfshira në operacionin e Europol-it që u zhvillua nga data 25 deri më 26 prill, kanë qenë: Belgjika, Bullgaria, Franca, Holanda, Rumania dhe Britania e Madhe.
Europoli ka deklaruar se të dhënat e marra pritet të ndihmojnë policinë që të identifikojë administratorët e medieve të Shtetit Islamik dhe “individë potencialisht të radikalizuar”.