‘Eurosport’: Franca, favorite në ‘Euro 2024’
Kur jemi dy ditë larg nisjes së “Euro 2024” në Gjermani, kanë nisur natyrshëm edhe parashikimet se cilët janë kandidatët për të ngritur lart trofeun, mbrëmjen e 14 Korrikut në Berlin.
Prestigjiozja “Eurosport”, duke analizuar futbollistët si dhe gjendjen aktuale të të 24 skuadrave pjesëmarrëse, ka bërë një projeksion se si do të jetë renditja finale e skuadrave. Për vendin e parë, sipas “Eurosport” nuk ka dyshime: Franca e Didier Deschamps mbetet favoritja absolute për të fituar trofeun. 8 nga 12 gazetarët e redaksisë së “Eurosport” e shikojnë Francën si favoriten kryesore të këtij evropiani. “Gjelat”, e kërkojnë këtë trofe prej 24 vitesh, ata iu afruan shumë në 2016, ku në shtëpi i surprizoi Portugalia e Cristiano Ronaldos.
Antagonistja kryesore e Francës është Anglia e Gareth Southgate. Në linjën e dytë të pretendentëve janë Gjermania, vendi pritës i këtij evropiani, drejtuar nga Nagelsmann dhe Spanja e De La Fuentes, rivali i Shqipërisë, mbrëmjen e 24 Qershorit, në Dusseldorf.
Ndërkohë që Italia e Spalletit, rivali tjetër i kombëtares kuqezi në Grupin B, shikohet vetëm në vendin e gjashtë dhe mundësia për të përsëritur suksesin e Evropianit të shkuar shikohet thuajse e pamundur. Pjesa më e madhe e gazetarëve të “Eurosport” parashikon se “Azzurrët” do të eliminohen përpara raundit të gjysmëfinaleve.