Eurostat: Shqipëria dhe Kosova të fundit në rajon për turizëm
Turizmi është një nga sektorët prioritarë ku po mbështetet ekonomia e vendit, por krahasuar me rajonin Shqipëria, së bashku me Kosovën, po tërheqin më pak turistë se vendet e rajonit.
Eurostat ka publikuar të dhënat turistët që kanë vizituar vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Për t’i bërë shifrat e krahasueshme Eurostat ka përllogaritur numrin e tyre për 1000 banorë rezidentë. “Ndonëse kanë pasur përmirësim që prej 2012-s, të dhënat tregojnë se turistët në Shqipëri dhe Kosovë ishin shumë më të pakët në numër se në vendet e tjera të rajonit”, thuhet në raportin e Eurostat.
Sipas Eurostat në 2017-n Shqipëria u vizitua nga 100 turistë për 1000 banorë, ndërsa Kosova diçka më shumë. Në rajon për numrin më të lartë të turistëve kryeson Mali i Zi, i cili vit pas viti po tërheq më shumë turistë, duke kaluar dhe mesataren e BE-së. Për 2017-n numri i turistëve për 1000 banorë ishte 1200. Ndonëse nuk kanë det, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina kanë tërhequr më shumë turistë se Shqipëria në 2017-n./Monitor.al