Evropa “digjet” këtë javë, tajfuni pas Kinës i drejtohet Vietnamit
Kontinenti Evropian po përballet me një valë të nxehti ekstrem me temperatura tepër të larta që arrijnë deri në 48 gradë celsius.
Këtë javë pritet që temperaturat të arrijnë kulmin në Evropë. Sipas Agjencisë Europianë Hapësinore, në ishujt e Siçilisë dhe të Sardenjës në Itali termometri pritet që të shënojë 48 gradë celsius. Ekspertët kanë paralajmëruar për nxehtësi ekstreme.
Edhe në Romë dhe pjesë të tjera të Italisë temperaturat do të qëndrojnë mbi 40 gradë celsius për 15 ditë.
Spanja, po ashtu, është goditur nga vala e të nxehtit. Dje termometri shënoi 44 gradë celsius në jug të vendit.
Në Qipro temperaturat do të shkojnë mbi 40 gradë.
Një zonë pyjore në Athinë të Greqisë u përfshi nga flakët e zjarrit si pasojë e temperaturave të larta.
Përtej oqeanit, edhe ShBA-ja po përballet me temperatura ekstreme. Në Phoenix të Arizonës termometri shënoi mbi 43 gradë celsius për 17 ditë rresht, ndërsa në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, një nga vendet më të nxehta në botë, u regjistrua temperatura 52 gradë.
Teksa Evropa dhe Amerika po digjen nga i nxehti e vende të ndryshme të Azisë janë goditur nga stuhi të fuqishme. Tajfuni “Talim” ka goditur Kinën dhe i është drejtuar Vietnamit.