Evropa goditet rëndë nga thatësira

15 gusht 2022 | 12:50

Thatësira e verës dhe temperaturat e larta po godasin me forcë çdo sektor në Evropë, nga bujqësia deri tek industria e transportit të mallrave.

Kompanitë e transportit lumor dhe ato të logjistikës në Gjermani do të ndërpresin për arsye sigurie shumicën e udhëtimeve të anijeve të transportit në lumin Rin. Kjo ndërprerje bëhet për shkak të rënies së nivelit të ujit.

Meqenëse në ditët në vijim nuk priten reshje të konsiderueshme parashikohet që nga fundjava niveli i ujit të lumit Rin të bjerë nën 40 cm dhe kjo e bën të pamundur lundrimin pa rrezik të anijeve të transportit.

Javët e fundit është duke rënë drejt niveleve kritike edhe sasia e ujit në lumin Danub në Hungari, ndërkohë që pjesë të liqenit Velence, në jugperëndim të Budapestit, këtë javë u thanë tërësisht.

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Hungarisë, Barnabas Virag, ka paralajmëruar se periudha e gjatë e thatësirës, e shoqëruar me ndikimin e luftës në Ukrainë ndaj furnizimit me drithëra dhe ushqime, mund shkaktojë rritjen e çmimeve të ushqimeve muajt e ardhshëm dhe të përkeqësojë prirjen për inflacion me të cilën po përballet vendi.

Edhe Britania e Madhe po përjeton motin më të thatë prej më shumë se një shekull. Shërbimi kombëtar i motit e ka shpallur korrikun si muajin më të thatë për Anglinë që nga viti 1935, me reshje mesatare prej 23.1 milimetra. Prej thatësirës edhe lumi Thames po përjeton një mungesë të paparë uji.

Kurse në rajonin jugperëndimor të Burgundisë, në Francë, lumi Tille në fshatin Lux është tharë plotësisht. Në shtratin e lumit kanë dalë në pah mijëra peshq të ngordhur. Për shkak të thatësirës Franca është detyruar të vendosë kufizime të ndryshme për përdorimit të ujit në mbarë vendin.

Moti i thatë i kombinuar me inflacionin dhe konfliktin në Ukrainë po e përkeqësojnë edhe gjendjen e fermerëve në Evropën Perëndimore.

Presidenti i Shoqatës Gjermane të Fermerëve, Joachim Rukwied, ka paralajmëruar së fundi, se nëse nuk do të ketë reshje së shpejti, të korrat e këtij viti mund të preken rëndë nga vala e të nxehtit.  “Për momentin ne po luftojmë në shumë fronte. Çmimet e plehrave kimikë janë katër herë më të larta se një vit më parë. Çmimet e energjisë janë dy herë më të larta. Çmimet e ushqimit për kafshë janë rritur”, ka thënë Rukwied për “DPA”-në, duke shtuar se “nëse nuk bie shi së shpejti, atëherë kemi frikë se rendimentet e të korrave mund të reduktohen deri në 30 për qind  ose 40 për qind”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Programi “Mise au point” në radiotelevizionin zviceran “RTS” ka identifikuar…