Evropa Liga, sonte përballen Juventus – Sevilla dhe Roma – Leverkusen
Evropa Liga rikthehet këtë të enjte me ndeshjet e para të gjysmëfinaleve, ku katër skuadrat që kanë mbetur në garë do të duelojnë për finalen e madhe të 31 majit në “Puskas Arena”.
Juventus-Sevilla dhe Roma-Bayer Leverkusen janë dy çiftet nga ku do të dalin ekipet finaliste të këtij edicioni të Ligës së Evropës.
Roma e Jose Mourinhos do të synojë që të triumfojë sërish në arenë, një vit pas fitores së “Conference League”, tani ka si qëllim që t’i shkojë deri në fund një tjetër kompeticioni europian.
Ndeshja e parë në “Olimpico” do të jetë shumë e rëndësishme, me Romën që do që ti qartësojë llogaritë e kualifikimit. Italianët eliminuan pas kohës shtesë Feyenoord në çerekfinale, ndërkohë që Leverkusen në 5 ndeshjet e fundit në Europa League ka marrë 4 fitore dhe 1 barazim, ndërkohë që gjermanët në 9 ndeshjet e fundit jashtë fushe në të gjitha kompeticionet nuk janë mundur.
Roma ndodhet në një moment jo të mirë, pasi në 4 takimet e fundit nuk ka fituar asnjë ndeshje, por në Europë italianët kanë treguar se kanë një tjetër fytyrë dhe kjo sfidë pritet që të vendosë shumë për fatin e skuadrës që do të prekë finalen e madhe.
Për herë të fundit Roma dhe Leverkusen janë përballur me njëra tjetrën në fazën e grupeve të Champions në nëntor të 2015, asokohe italianët fituan 3-2 “Olimpico”.