Evropa nuk befasohet nga lindja por nga perëndimi!

06 qershor 2022 | 22:31

Skënder Berisha

Çështja e naftës dhe gazit, nuk është mahi as për gaz. Nafta, gazi janë jetë. Kjo fshehtësi u hoq pas luftës së madhe shkatërruese ruso-ukrainase.

Energjia, si koncept serioz që edhe sot na habit, si tregim i gjithëbotshëm u trajtua me formulën e Ajnshtajnit, E=mc2, formulë sa gjithëpërfshirëse, aq gjeniale. Por, gjeopolitika, energjinë e sheh si fuqi, jo si masë herë shpejtësi.

Gazi, tashmë, po e bën strategjinë e mbijetesës apo avancimin e fuqisë së superfuqive.

Për 20 vitet e fundit, mbase rastësisht i ndërlidhur e ndërthurur nga qeverisja putiniste, eksploatimi i naftës dhe gazit mori hov në Rusi. Si burim, gazi madje doli të jetë ekonomikisht më i favorshëm, në hapësirat e jashtëzakonshme të një shteti, për Evropën. Të shtetit që i pranohen pushtimet dhe heroizmat në kurriz të popujve të vegjël. Shtet i madh i ndërtuar mbi fatkeqësitë e popujve të kufizuar me të.

Dimensionin e paparë zhvillimor, Rusisë, në 20 vitet e fundit ia dha energjia. Nafta, gazi, ashtu siç realisht janë, janë energji për jetën. Por, Rusia, përpos energjisë që gufonte në bursa, mbante të fjetur edhe një faktor. Armatimin atomik. Në lojë, pos letrës së konsumit e mirëqenies së krijuar në Evropën perëndimore, mbanin edhe letrën tjetër, kërcënimin atomik. Ashtu siç pranë e pranë janë jeta e vdekja, ashtu afër qëndruan edhe energjia e zhvillimit me energjinë e shkatërrimit.

Kjo e fundit i sillte kokëdhembje Evropës. Prandaj, këtë rrezik dëshironte ta hiqte duke zbutur e mëkuar ariun, duke e ushqyer me blerje astronomike të energjisë, të papara deri më atëherë, duke ia ngritur standardin, duke e bërë faktorin dhe lojtarin kryesor të energjisë në këtë pjesë të botës.

Dukuria e ambivalencës është në natyrën e Evropës. Evropa asnjë herë nuk e ka shikuar interesin e të vegjëlve, përkundër interesit të vet dhe rehatisë. Ky hermafroditizëm evropian, nuk është i panjohur për shqiptarët.

Këtë e dimë ne, kur i kujtojmë aleancat në epokën e Skënderbeut. Në kulmin e luftërave të Skënderbeut, Venedikut i lulëzonte tregtia me Perandorinë Otomane. Nëse e personifikojmë politikën e atëhershme të Venedikut si tipike evropiane, i njëjti fenomen po ngjet sot e njëzet vjet. Për fat të keq.

Kjo traditë e ambivalencës evropiane, Serbisë i dha shtrirje, nga një pashallëk i skajshëm i Perandorisë Otomane, në shtet të shtuar për njëqind vjet – shumë fish, nga Evropa e cila në vend të “Drang nach Osten”, nga reaksioni rus u kthye në “Drang nach Westen”.

“Drang nach Westen” në dëm të trojeve shqiptare, trungut nacional dhe trojeve shqiptare, ishte dhuratë evropiane ndaj politikës agresive ruso-serbe, dhurata këto të pandalshme, deri në ditët e sotme. Kombi shqiptar do të pësonte nga Paqja e Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Parisi, Londra e Jalta.

Frenimi i vetëm i dëmtimit tonë nacional, ngjau në Rambuje, me praninë amerikane. Nuk do harruar, shkatërrimin e Shqipërisë londineze e pengoi po ashtu, amerikani, Presidenti Wilson.

Një informatë që doli se Serbia do të marrë 12 herë më lirë gazin rus, është brenda traditës, logjikës dhe miqësisë ruso-serbe. Asgjë e panjohur. Po kjo energji, për disa shtete evropiane, ishte jetike të bëhen siç janë, shtete të fuqishme, moderne por të varura.

“Drang nach Westen” po vijon. “Drang nach Osten”, e ka lëshuar bajrakun. Kjo shihet me përkrahjen e vakët e joserioze të perëndimit për Ukrainën. Evropianët me disa përjashtime, po u bien kambanave dhe luten për shpirtin e viktimave ukrainase, si në kohën e Skënderbeut.

Pse perëndimi habitet me raportet serbo-ruse, kur këto i njeh çdo maturant që ka lexuar histori. Gazin me çmim të ulët e përdori Evropa perëndimore në këto 20 vjet. Kishin vendosur të zhvilloheshin me energjinë ruse, harruan se kush është Rusia. Megjithëse vonë, ju erdhën mendtë. Fundja, Evropa nuk befasohet nga lindja, por nga perëndimi.

Prandaj, asnjë habi nuk duhet shfaqur Evropa perëndimore, kur Serbia merr gaz rus, apo pse Hungaria nuk i bën embargo burimeve energjetike ruse. Paradoksi është se po kjo Evropë perëndimore, megjithatë në heshtje, e pranon se u fuqizua me energjinë “e lirë” ruse.

Shifrat e OEC për vitin 2020, tregojnë se eksportet kryesore të Rusisë janë: Nafta e papërpunuar (74,4 miliard dollarë), nafta e rafinuar (48 mld $), gazi nga nafta (19,7 mld $), etj. duke eksportuar në Kinë (49,3 mld $). Mbretërinë e Bashkuar (25,3 mld $), Holandë (22,5 mld $), Bjellorusi (15,8 mld $), Gjermani (14,2 mld $), etj. Ndërsa importet kryesore të Rusisë janë nga Kina (50,7 mld $), Gjermania (26,1 mld $), Bjellorusia (12,8 mld $), Koreja e Jugut (7,93 mld $) dhe Italia (7,71 mld $).

Disa nga emrat e shteteve që këmbyen me Rusinë, duket sheshit, i kontribuuan okupimit të Ukrainës dhe kaosit aktual. Kjo na prek neve në zemër më shumë se sa mund ta dëshmojmë.

Bashkimi Evropian, si çdo herë, luan rrol, kohë pas kohe paraqitet francez. Veprimi i shpejt është rruga, por pikërisht këtë gjë që nuk di ta bëj. Ukraina po digjet, ajo duhet ta fitojë luftën. Serbia dhe Hungaria do të vijojnë në mes lindjes e perëndimit për ta bërë atë që Bashkimi Evropian e bëri për 20 vjet.

Për fat të keq, askush nuk po i kërkon falje Republikës së Kosovës që për 20 vjet u pengua seriozisht të zhvillohet e të përqafonte vlerat integruese euro-atlantike. Kjo është dhuratë ruso-serbe, deri sa Bashkimi Evropian nuk do ta heq frikën nga fantazma ruse.

Çlirimi i Kosovës është produkt i energjisë vendore të thadruar në tri shkronja, UÇK dhe vendosmërisë amerikane, e cila solli dinamika tjera në raportet euro-ruse. Konceptet çlirim, liri, demokraci, përkundër okupim, robëri dhe diktaturë, nuk u panë njëjtë nga BE-ja dhe ShBA-ja. Prandaj, fati i Kosovës e shqiptarëve, është në duart amerikane.

Neve si popull na mbetet të punojmë në hapësirën e rrëgjuar nacionale pa tentuar të zbulojmë formulat e vjetra pse interesi ekonomik i shteteve të caktuara është më i rëndësishëm se e drejta natyrore e disa kombeve për ekzistencë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur…