![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/Volodymyr-Zelensky.jpg)
Evropa nuk mund ta garantojë sigurinë e Ukrainës pa Amerikën
Evropa nuk mund ta garatojë e vetme sigurinë e Ukrainës nëse SHBA tërheq mbështetjen ushtarake, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo”, tha presidenti ukrainas gjatë një interviste për The Guardian në administratën presidenciale në Kiev.
“Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, shtoi ai.
Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, por skeptikët kanë frikë se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të detyrojë Ukrainën që të përmbushë kërkesat e Vladimir Putin.
Zelensky tha se është gati për të negociuar por dëshiron që Ukraina ta bëjë këtë gjë nga një “pozitë e forcës” dhe t’u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh në përpjekje për të tërhequr Trumpin.
“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të [kanë mundësinë ta] rinovojnë atë, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm t’i flasim në detaje”, tha ai.
Zelensky do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih më vonë këtë javë, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance.