Evropa si orientim i shprehur në trashëgiminë tonë mendore
Nga: Ndriçim Kulla
Një përfaqësuese e denjë e mendimit të pjekur politiko-historik, e veçanërisht diplomatik, të spikatur, është edhe Dora D’Istria, sidomos në trajtesën e saj mbi dallimin midis Lindjes dhe Perëndimit, ku ajo shfaqet si pararendësja më e parë e ndërdyzjes së madhe ose njërës nga temat që do të debatohet me po të njëjtën ashpërsi në vitet 1930-të, për të arritur kulmin në vitin 1935-’36 me disa artikuj të famshëm si Lindje apo Perëndim (Zef Valentini), Oriental apo Oksidental (Krist Maloki), Zvicër apo Afganistan (Ismet Toto) e kështu me radhë. Është një rrëke kjo mjaft e rëndësishme e mendimit politik shqiptar të gjithë atyre viteve, që gufoi kah detit të mendimit perëndimor.
Qytetërimi për Dora D’Istrian kishte kohë që ishte zhvendosur nga Lindja në Perëndim. Me këtë ajo nuk nënkuptonte se roli i Lindjes nuk kishte pasur rëndësinë e vet për qytetërimin botëror; përkundrazi, kultura lindore e vendeve mesdhetare kishin qenë ndërmjetëse të fuqishme për botën perëndimore. Por, gjërat ndër shekuj kishin ndryshuar. Autores, Lindja i ngjante me një ferr akoma dhe më të rëndë se ai i Dantes, pavarësisht se brenda vetes ajo fshihte një shpirt të fuqishëm përparimi. Atëherë, cila duhej të ishte e ardhmja e Ballkanit? Vetëm Perëndimi, një përgjigje për të cilën ajo ishte krejtësisht e vetëdijshme. Është për t’u vërejtur një mendim i vyer i Tomas Masarikut, presidenti i parë i shtetit Çekosllovak dhe një figurë e njohur e diplomacisë, i cili përputhet me konceptimin e Dora D’Istrias. Në librin e tij Rusia dhe Evropa, Masariku theksoi me forcë se e para duhet të zbresë në Perëndim, dhe jo kjo e fundit të ngjitet në Lindje.
Ndërkohë që për Dora D’Istrian, Evropa në procesin e saj historik do të gjejë rrugën e zgjidhjes së bashkimit të saj të plotë. Ajo do ta ndihmojë Ballkanin, por me kusht që ai të ndihmojë vetveten, duke shuar zjarrin e anarkisë brenda vetes. Ashtu si dhe Hygoi, ajo kishte besimin e patundur se Shqipëria do t’i përkiste Shqipërisë, si anëtare e denjë e shoqërisë perëndimore. Ndoshta atëherë kishte njerëz që kjo dëshirë u dukej e parealizueshme, por ideja që rilindësja e madhe kishte rrënjosur thellë në zemrën e vet ishte se Shqipëria s’ishte larguar kurrë nga Perëndimi me dëshirën e vet. Një trajektore e tillë mendimi do të kërkonte debat edhe më vonë, në përshtatje me kontekstin historik të Shqipërisë, e natyrshëm që elementët dhe argumentet do të qenë të ndryshëm, por që gjithsesi do të arrinin të mbrunin një mendim të pjekur dhe përfundimtar në pjesën më të madhe të elitës së mendimit shqiptar.
Edhe vetë realizuesi i madh i pavarësisë shqiptare, që përpara aktit të shënuar në Vlorë, do të shtronte pyetjen: Shqipëria për të jetuar e përparuar duhet të vështrojë nga Lindja apo nga Perëndimi? Me cilën prej tyre do të mbante marrëdhëniet më të ngushta dhe a ishte e mundur me të dy? E përgjigjja jashtë çdo gjykimi, pavarësisht ngurrimit dhe mëdyshjeve në taktikën dhe formën e pavarësimit, qe një dhe e vetme. Për Ismail Qemalin, vetëm lidhjet me perëndimin evropian, duke ruajtur pavarësinë e plotë, mund ta shpëtojnë Shqipërinë.
Ai uronte që kohërat e Don Kishotëve dhe Sanço Pançove të përfundonin sa më parë, një mendim ky që do të gjente më pas jehonë edhe te Fan Noli, kur theksonte se kjo kohë duhet t’u shërbente shqiptarëve si mësim. Sot mund të thuhet me plot gojën që historiografia shqiptare ende nuk e ka përcjellë aq sa duhet opinionin e saj shkencor tek opinioni i gjerë ndërkombëtar, sidomos tek ai evropian dhe ndoshta ky është një ndër elementët që deri në një farë mase i justifikon edhe argumentet e diplomatëve të lartë evropianë, kur shprehen që institucionet e Bashkimit Evropian ngurrojnë për të marrë vendime për Shqipërinë, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë vend dhe popull të cilin realisht e pranojnë që është evropian. Për shkak se viset shqiptare kanë njohur pushtime perandorake, që kanë zëvendësuar periodikisht njëra-tjetrën, shqiptarët kanë qenë pjesë e qarqeve përkatëse kulturore dhe superstrukturës së shteteve ku kanë bërë pjesë.
Nga një pozicion i tillë, Pashko Vasa shkroi veprën E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, një punim i karakterit enciklopedik, i cili brenda vitit 1879 kur dhe u botua frëngjisht në Stamboll, u publikua njëkohësisht edhe në Paris (frëngjisht), në Londër (anglisht) dhe në Berlin (anglisht). Ende sot mbetet jo shumë e qartë, madje duhet hulumtuar, rruga që Pashko Vasa ndoqi për botimin në Evropë të këtij punimi njohës për historinë e shqiptarëve nga antikiteti deri në atë kohë. Gjithsesi, ai është i pari intelektual shqiptar që rrezikut të copëzimit që po u kanosej viseve shqiptare iu përgjigj me një punim historik gjithëpërfshirës në të gjitha gjuhët kryesore të Evropës.
Kurse, vepra e Sami Frashërit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet (1899), manifesti i lëvizjes kombëtare shqiptare, e njohur si programi i saj sintetik apo si strategjia dhe taktika e kohës kur u shkrua, njohu një fat tjetër. Me këtë vepër fillon faza e dytë e mendimit politik shqiptar, ose më mirë pikënisja e mendimit të vërtetë politik të pavarësisë që zgjati deri në vitin 1919. Ajo është ndoshta e para vepër shqiptare, e cila vetëm disa vjet pas botimit të parë (1899), pra në vitin 1902, u përkthye në osmanisht nga Shahin Kolonja për t’iu bërë e njohur opinionit osman të kohës, por periudha më dinamike në publikimin e historisë shqiptare në gjuhë të huaj është dekada e dytë e shek. XX, kur ekzistenca e shtetit të shpallur shqiptar ishte në duart e Fuqive të Mëdha. Këtu spikasin tri figura të mirëfillta intelektuale: Mit’hat Frashëri, Kristo Dako dhe Kostë Çekrezi.
I pari në frëngjisht dhe dy të tjerët në anglisht shkruajnë libërtha që trashëgiminë historike të shqiptarëve t’ia bëjnë të njohur opinionit të gjerë ndërkombëtar. Por, më së shumti, ato synonin të mbërrinin në ambientet e kancelarive vendimmarrëse. Madje libërthat e tyre i kushtohen edhe historisë së atyre rajoneve të banuara nga shqiptarë, që me vendimet e Konferencës së Londrës (1913) iu lanë shteteve fqinje. Botimet historike në gjuhë të huaj përgjatë kësaj dekade, ndonëse jo fryt i një politike të përcaktuar më parë, por një përgjigje e nevojave që kërkonte momenti historik, edhe sot e kësaj dite për nga numri përbëjnë “kohën e artë”, kur qoftë edhe në trajtë sintetike, opinionit ndërkombëtar iu prezantua historia e shqiptarëve si evropian. Shkruesit vërtet nuk ishin historianë profesionistë, por ishin patriotë në kuptimin më të pastër. Noli shkruan se “në lëvizjen kombëtare shqiptare prijësin ideologjik do ta bëjë iluminizmi francez … i cili përqafoi teorinë e praktikën e një shteti të bazuar mbi një kombësi me kulturë dhe gjuhë të përbashkët dhe jo mbi një fe apo mbret absolut”.
Dhe, Sami Frashëri me mendimin e tij shfaqet shumë i ndikuar nga parimet dhe vlerat e iluminizmit francez, ndërkohë që për shkak të energjisë për punë dhe mendjes universale, ai mund të përcaktohet me plot të drejtë si “Volteri shqiptar”. Sipas bindjes së tij, pavarësisht nga zigzaget dhe regreset në historinë njerëzore, qytetërimi ka ecur përpara. Për këtë arsye, ai vëren me forcë se “pasuria, idetë morale dhe shpirtërore mund të realizohen vetëm me arsim, prandaj mund të themi se përparimi është arsim”. Një tjetër element lidhës me iluminizmin gjendet në idenë e Samiut që “zhvillimin e qytetërimit dhe shkencave e lidh ngushtë me luftën politike e shoqërore të një populli. Në konceptin e qytetërimit, ai përfshinte mbi të gjitha punën e arritjeve materiale dhe shpirtërore të individit, nëpërmjet veprimtarisë fizike dhe mendore për ta kthyer njeriun antropomorf në një qenie të vërtetë fisnike falë qytetërimit në çdo fushë të jetës. Kurse, në tërësinë e vet, burimin e qytetërimit, ai nuk e gjen kryesisht te klasa e lartë, por te punonjësit, te prodhimi i tyre dhe tek intelektualët krijues. Është kjo një temë që do të fillojë që në shkrimet e para të gazetave të fillimshekulli XX, duke përballur përkrahës të aristokracisë (që herë-herë merrte formën e përkrahjes së klasës së bejlerëve) dhe rolit vendimtar të vegjëlisë në pavarësimin dhe zhvillimin e vendit.
Në fillim të shekullit të shkuar, veçanërisht e ashpër u bë veprimtaria e shovinizmit grek dhe e qarqeve reaksionare të Athinës, të shqetësuara nga bashkimi ose lëvizja mendimtare shqiptare që prirej kah bashkimit pa dallim feje e krahine, pra që kishte një busull evropiane. “Për t’u bindur për të kundërtën, shkruan Noli, mjafton t’u drejtohesh veprave të historianëve të lashtësisë, si Tuqididi dhe Straboni, të cilët ilirët, maqedonasit dhe të tjerët i quanin “barbarë”, në kuptimin që nuk flisnin greqisht dmth., nuk ishin grekë. Po të njëjtën tezë të pathemeltë quante Noli edhe ndikimin e fesë dhe greqishtes ndaj kulturës sonë kombëtare. Si mund të pranohet, shpjegonte Noli me qesëndi, që në kulturën shqiptare ka ushtruar ndikim të rëndësishëm kisha ortodokse e nëpërmjet saj gjuha greke, kur përveç të dhënave të shumta, kundër kësaj teze flet edhe terminologjia kishtare, që mund të kuptohet vetëm prej latinishtes”.
Për të trajtuar akoma edhe më mirë këtë problem, do të na duhet të studiojmë më në thellësi një shpërthim të madh, qoftë patriotik, qoftë intelektual, që solli veprimtaria e klerit katolik shkodran, gjatë lëvizjes kombëtare dhe gjatë përpjekjeve të konsolidimit të shtetit shqiptar deri në Konferencën e Paqes. Analiza e kulturës dhe shkollave shqipe tregon se për 400 vjet (duke filluar nga viti 1632) në trekëndëshin Mat-Mirditë-Dibër (sipas Fulvio Kordinjano në veprën Shqipëria, në trekëndëshin Shkodër-Pulati-Shkupi kishin ekzistuar betejat e gjigantit katolik të Veriut, (vëll. II) kishte filluar dhe ishte zbatuar arsimimi i popullit shqiptar dhe përgjegjës për atë proces ishte institucioni i Klerit Katolik Shqiptar i lidhur me institucionin qendror në Romë, fillimisht dhe pastaj e vazhduar nga Perandoria Austro-Hungareze. Këto 400 vjet përbëjnë fazën e domosdoshme të formimit të popullit shqiptar dhe atë që shkenca botërore e konsideron si zanafillë të proceseve sociale të një populli.
E në këtë proces rolin vendimtar e kishin luajtur urdhrat françeskanë e më pas jezuitë, së bashku me misionet shëtitëse apo kolegjet e nivelit sipëror që ata hapën e mbajtën në Shkodër . Përgatitja e tyre kulturore, atdhetare dhe politike qe me të vërtetë e spikatur jo vetëm për shumicën e njerëzve, por edhe për selitë e njohura të Evropës, atëherë kur edhe vetë emri shqiptar, ndoshta dëgjohej prej tyre për herë të parë. Ishte pikërisht forca morale e këtyre njerëzve të Zotit, ajo që i dha hov luftës me penë, për liri dhe të drejta njerëzore të shqiptarëve. Jo më kot në strehën e françeskanëve shqiptarë, në derën e saj shkruhej me shkronja shqipe: “Për Atdhé e Fé-na bajmë vdekjen si me lé”!