
Evropianët po rrahin gjoks në mbrojtje të Zelenskyt, është me rëndësi ç’thonë prapa dyerve të mbyllura
Shtetet e Bashkuara po pezullojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump u përplas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, konfirmuan nga Shtëpia e Bardhë të hënën.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha se beson se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të pajtohet “përfundimisht” me pjesëmarrjen në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Komentet e tij, të dhëna një intervistë të regjistruar paraprakisht me Sean Hannity të Fox News, u bënë përpara se të shpallej vendimi i SHBA për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
“Ai ka treguar një mosgatishmëri të qartë për të marrë pjesë në procesin e paqes që Presidenti Trump e ka etiketuar si politikë e popullit amerikan dhe presidentit të tyre. Ky është problemi i vërtetë – nuk mendoj se Zelensky ishte gati në atë kohë. Dhe sinqerisht, nuk mendoj se ai është ende gati, por besoj se përfundimisht do të arrihet deri te kjo, sepse duhet,” tha Vance.
Komentet e Vance ishin komentet e tij të para publike që nga një takim në Zyrën Ovale, ku Presidenti Donald Trump sulmoi verbalisht Zelenskyn. Kur u pyet nëse Zelensky mund të kthehej në Shtëpinë e Bardhë nëse deklaronte se ishte gati të diskutonte një plan paqeje, Vance tha se SHBA do të ishin gati për bisedime të reja nëse Zelensky ishte serioz për negociatat.
“Nëse ai do të telefononte dhe do të kishte një propozim serioz se si synon të marrë pjesë në proces… Shikoni, ka detaje që janë vërtet të rëndësishme dhe që ne tashmë po i diskutojmë me rusët. Ne kemi biseduar me disa nga aleatët tanë, ai duhet të angazhohet seriozisht në detaje”, tha Vance.
“Zelensky mendon se gjithçka i përket atij”
Vance tha se Trump “u përpoq të ishte diplomatik” në fillim të takimit.
“Në fillim u përpoqa ta qetësoja situatën”, tha Vance. Ai shtoi se Zelensky tregoi “një mungesë respekti dhe një qëndrim sikur gjithçka i përket atij”. Sipas tij, problemi është se Zelensky nuk ka dashur të flasë për paqe pa garanci sigurie, ndërsa Shtëpia e Bardhë mendon se kjo duhet të diskutohet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje.
Vance Trump ka marrëdhënie të shkëlqyera me shumë aleatë evropianë, por se ka një ndryshim të madh midis pikëpamjeve të tyre publike dhe private për luftën në Ukrainë. “Këtu është problemi me evropianët… Ata duhet të jenë realistë. Gjëja më e çmendur nga të gjitha, është se liderët evropianë po rrahin gjoksin dhe thonë: “Ne jemi me Zelenskyn për 10 vitet e ardhshme.”
“Sinqerisht, nuk më intereson se çfarë thonë evropianët para kamerave – ajo që ka rëndësi për mua është se çfarë thonë ata pas dyerve të mbyllura. Dhe ajo që ata duhet t’i thonë Presidentit Zelensky është se kjo luftë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë – gjakderdhja, viktimat, dëmet ekonomike – e gjithë kjo i lëndon të gjithë”, përfundoi Vance.