‘Exit Poll’-i i PIPOS: LV-ja, fituese e zgjedhjeve
RTK-ja dhe Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, PIPOS, kanë publikuar ‘Exit Poll’-in për epilogun e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura sot.
Udhëheqësi i institutit PIPOS, Fisnik Halimi, para prezantimit ka sqaruar mënyrën se si është realizuar ky ‘Exit Poll’.
Ai ka thënë se kjo është një teknikë e matjes së shpejtë të rezultateve, e cila realizohet përmes intervistave gjatë ditës, të cilat ky institut i merr menjëherë pasi qytetarët e kryejnë obligimin e tyre në vendvotime.
“Kjo teknikë realisht është shumë e saktë, por i ka mangësitë e veta dhe duhet marrë me një dozë të vogël rezerve. Por, ne, si PIPOS i kemi marrë të gjitha parapërgatitjet që margjina e gabimit të jetë minimale dhe të pasqyrojë rezultatin ashtu siç do të jetë pas numërimit”, ka theksuar Halimi.
Ndërkohë, në bazë të këtij ‘Exit-Poll-‘i fitues i zgjedhjeve del të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 28.1 për qind të votave, e ndjekur nga LDK-ja me 27.9 për qind dhe PDK-ja me 25.8 për qind.
‘Exit Pollet’ janë rezultatet jozyrtare dhe që realizohen në bazë të anketave.
Në bazë të ligjit institucioni që ka të drejtë të publikojë rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë është vetëm Komisionin Qendror Zgjedhor.