Fabregas e dëshiron Manajn te Como
Rei Manaj do t’i japë lamtumirën Sivasporit gjatë kësaj vere por, me sa duket, edhe futbollit turk. Ofertat për lojtarin nuk kanë munguar, siç kanë shpjeguar edhe vetë drejtuesit e këtij klubi, ndërsa së fundmi ka dalë në skenë një e tillë shumë interesante.
“Aksam” bën me dije se emri i Manajt ka përfunduar në radarët e klubit të sapongjitur në Serinë A, Como.
Klubi i cili ka pronarë dy emra shumë të njohur të futbollit botëror si Cesk Fabregas dhe Tierri Henri, kërkon të ndërtojë një ekip konkurrues në Itali për edicionin e parë në elitë ku synon mbijetesën, teksa sheh pikërisht Manajn si një lojtar që mund ta ndihmojë për këtë objektiv. Raportohet se Manaj është gati të bëjë prapakthehu në Itali, ku ka luajtur në kampionatin e elitës me fanellën e Peskarës dhe Specias, pa harruar këtu edhe përvojën e shkurtër me atë të Interit. Ai ka shprehur gjithmonë dëshirën për t’u kthyer në Itali dhe dy legjendat e futbollit botëror duken të gatshme për t’ia plotësuar atë.