Fabrika e Municionit dhe ajo e Baterive mbesin jashtë statutit të “Trepçës” (Dokument)

29 qershor 2018 | 11:05

Ndërmarrja “Trepça”, e cila në të kaluarën ishte promotore e zhvillimit ekonomike, tani në saje të rrethanave politike vazhdon të operojë me humbje.

Debati i fundit për draftstatutin e Ndërmarrjes “Trepça” ka ngjallur reagime të shumta. Sindikata e Pavarur e Minatorëve ka kërkuar që çështjet sociale të hyjnë në draftstatutin e Ndërmarrjes “Trepça”, në anën tjetër përfaqësues të Bordit Mbikëqyrës të kësaj ndërmarrje kanë pohuar se çështjet sociale duhet të zgjidhen me Ligj të veçantë për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Trepça”.

Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta “Epoka e re”, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë dorëzuar dy versione të draftstatutit të “Trepça” sh. a. Mirëpo, edhe përkundër kërkesave të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve lidhur me çështjet sociale, në draftstatutin që ka dorëzuar kjo sindikatë nuk janë përfshirë të gjitha njësitë e “Trepçës”.
Gazeta “Epoka e re” ka siguruar një kopje të draftstatutit të ndërmarrjes “Trepça sh. a.”, që është dorëzuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në këtë draftstatut vërehet se janë lënë anash shumë njësi të ndërmarrjes “Trepça” dhe çështjet sociale.

Sipas statutit të Sindikatës së Minatorëve, neni 6, themeluesit, pika 3.1, 3.2, 3.3, krijohen njësitë: Minierat me Flotacion Trepça – Stantërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë, si dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq. Kurse në pikën 4 të nenit 6 thuhet se: “Bazuar në studimin e fizibilitetit dhe arsyeshmërinë ekonomike e financiare, në përbërje të Trepça sh. a. formohen edhe këto njësi biznesore”: Metalurgjia e Plumbit, Metalurgjia e Zinkut, Industria Kimike. Por, në bazë të draftstatutit të Sindikatës njësitë dhe asetet të cilat janë lënë anash nga draftstatuti i sindikatës janë: Fabrika e Proceseve dhe Pajimeve, Fabrika e Baterive dhe Fabrika e Municionit. Të gjitha njësitë dhe asetet e lartcekura kanë mbetur jashtë draftstatutit të propozuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës.

Ndërkaq kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqri Sadiku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se të gjitha asetet e “Trepçës” janë të përfshira në draftstatutin e tyre.

I pyetur nëse e kanë përfshirë edhe Fabrikën e Municionit në këtë draftstatut, Sadiku është përgjigjur: “Po, edhe Fabrikën e Municionit e kemi përfshirë, e cila është në Skenderaj”. Ai ka thënë se asnjë aset të ndërmarrjes nuk e kanë përjashtuar. “Të gjitha asetet duhet të hyjnë në statut. Kemi kërkuar të formohet një komision nga Qeveria dhe nga njerëzit që e njohin ‘Trepçën’, pa përjashtuar akademikët e shkencave në Kosovë. Ne i kemi përfshirë 27 asete. Pra, nuk i përjashtojmë asetet dhe punëtorët të cilët kanë dhënë kontribut. Pos njësiteve biznesore që janë miniera e Stantërgut, e Artanës dhe e Kishnicës, përjashtuar këtu minierën e veriut që nuk ka qasje bordi”, ka thënë Sadiku.

Albulena S.MAVRAJ

(Tekstin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja “Trepça”, e cila në të kaluarën ishte promotore e…