Fabrika ruse e tankeve ka pezulluar punën për shkak të mungesës së pjesëve
Ushtria ukrainase është duke raportuar se kompania që prodhon dhe riparon tanket ruse, ka pezulluar punën në fabrikën që ka në rajonin Çeljabinsk, për shkak të mungesës së pjesëve.
Në një deklaratë të publikuar në “Facebook”, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka raportuar se prodhuesi Uralvagonzavod është dashur të ndalë prodhimin në fabrikë, “për shkak të mungesës së pajisjeve të prodhuara jashtë shtetit”.
Kompania ukrainase për informacion dhe konsulencë ushtarake, Defense Express, ka raportuar se Uralvagonzavod është e vetmja fabrikë që kryen montimin e tankeve.
Sipas saj, kjo fabrikë shfrytëzon pjesë të prodhuara nga Perëndimi.
Në mediat ruse nuk është raportuar për diçka të tillë dhe Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë informacionin në deklaratën ukrainase.