Fabrika sovjetike shndërrohet në një qendër urbane
Sipërmarrësit në Ukrainën perëndimore po kthejnë një fabrikë të madhe prodhimi të epokës Sovjetike në një qendër për arsimin, biznesin dhe artin, me shpresën për ta çuar më tej zhvillimin në një vend që lufton me korrupsionin, paqëndrueshmërinë politike dhe një recesion.
Fabrika e papërdorur në qytetin e Ivano-Frankivsk dikur prodhonte gaz dhe pajisje të tjera, por tani është një hapësirë urbane që ka një fermë, një galeri arti bashkëkohor, zyra dhe një klub edukimi për fëmijë.
Themeluesit e projektit ‘Promprylad ‘ blenë hapësirën me 36,000 metra katrorë në 2019 dhe kanë mbledhur më shumë se 8.5 milionë Dollarë nga investitorët vendas për riparimin.
Në vitin 2020, revista Forbes e quajti Ivano-Frankivsk, në rrëzë të maleve Karpate, qytetin më të mirë për të bërë biznes në Ukrainë, përpara kryeqytetit Kiev. Korrupsioni është endemik në Ukrainë dhe ekonomia e tij është goditur rëndë nga pandemia, duke u tkurrur 4% vitin e kaluar.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në vitin 2020, Transparency International e renditi Ukrainën në vendin e 117 nga 180 vende në të gjithë botën, duke i dhënë asaj 33 nga maksimumi i 100 pikëve ku zero tregon se “korrupsioni zëvendëson në mënyrë efektive qeverinë”.
Pothuajse 900 investitorë privatë kanë investuar në këtë projekt dhe kriter kryesor për të pranuar fondet e tyre është që ato të vijnë nga burime të ligjshme. Themeluesit e tij presin që projekti të përfundojë deri në fund të vitit 2023 dhe planifikojnë të shtojnë një sallë veprimtarish për 4,000 njerëz, një bibliotekë, një dyqan librash etj./tvklan/