“Facebook” do të ndalojë publikimin e të gjitha përmbajtjeve që mbështesin talebanët
Gjiganti i medieve sociale, “Facebook”, ka njoftuar se do të ndalojë publikimin e të gjitha përmbajtjeve që mbështesin talebanët. Kompania ka bërë me dije se ka një ekip të dedikuar ekspertësh afganë për të monitoruar dhe hequr të gjitha përmbajtjet e lidhura me grupin islamik.
Kjo masë është marrë pasi talebanët për vite me radhë kanë përdoruar mediat sociale për të përhapur mesazhet e tyre dhe kanë ndikuar tek shumë qytetarë. Por duket se pushtimi i shpejtë i Kabulit dhe marrja e pushtetit nga ana tyre ka gjetur të papërgatitur të gjithë, përfshirë dhe kompanitë e mediave sociale.
Një zëdhënës i “Facebook” ka bërë me dije për BBC se për këtë kompani talebanët janë një organizatë e rrezikshme.
“Kjo do të thotë që ne do të bllokojmë llogaritë në emër të talebanëve dhe ndalojmë lavdërimin dhe mbështetjen e tyre”, ka deklaruar zëdhënësi i “Facebook”.
“Facebook” ka theksuar se politika zbatohet për të gjitha platformat e saj duke përfshirë rrjetin e saj kryesor të mediave sociale, “Instagram” dhe “WhatsApp”. Sidoqoftë, ka raporte se talebanët po përdorin “WhatsApp” për të komunikuar./tvklan.al/