“Facebook” do të paguajë 5 milardë dollarë lidhur me përdorimin e të dhënave personale
Rrjeti social “Facebook” ka rënë dakord të paguajë 5 miliardë dollarë lidhur me akuzat se kishte keqpërdorur të dhëna personale të përdoruesve.
Marrëveshja që u njoftua në një deklaratë të mërkurën nga Komisioni Federal i Tregtisë, është më e kushtueshmja e arritur ndonjëherë me një kompani teknologjike lidhur me privatësinë e përdoruesve.
Si rezultat i marrëveshjes me qeverinë, shefi ekzekutiv i “Facebook”-ut, Mark Zuckerberg do të duhet të vërtetojë çdo tremujor dhe çdo vit se “Facebook” po merr masat e duhura për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve.
Marrëveshja përcakton gjithashtu ngritjen e një komisioni për privatësinë nga “Facebook”-u që do të merrte vendime lidhur me privatësinë dhe përdorimin e të dhënave. Në këtë mënyrë, rregullatorët u përpoqën të reduktojnë atë që e quajtën “kontroll të pafrenuar” nga ana e Zuckerberg për të përcaktuar politikat e privatësisë të kompanisë.
Komisioni do të ishte përgjegjës për miratimin e zyrtarëve që do të punonin me Zuckerberg për t’u siguruar që gjiganti i medies sociale do të respektojë rregullat dhe të dorëzojë certifikatat e plotësimit të kushteve. Komisioni Federal i Tregtisë hapi një hetim për “Facebook”-un vitin e kaluar, pasi u mor vesh se firma e konsulencës politike, Cambridge Analytica kishte pasur qasje në informacionit privat të miliona përdoruesve të “Facebook”-ut, pa autorizim.
Në veçanti, rregullatorët ishin të interesuar të hetonin nëse “Facebook” kishte shkelur një marrëveshje të vitit 2012 që e udhëzonte kompaninë të merrte miratimin e përdoruesve para se të ndante të dhëna personale me palë të tjera. Marrëveshja e së mërkurës u arrit pas akuzave nga Komisioni Federal i Tregtisë se “Facebook” e shkeli marrëveshjen e vitit 2012 duke përdorur “informacione dhe parametra mashtruese për të minuar preferencat e privatësisë së përdoruesve”./voa/