Facebook, Instagram dhe Threads ishin jashtë funksionit në gjithë botën
Rrjetet sociale në internet, Facebook dhe Instagram, kanë rënë nga sistemi në pasditen e së martës, duke shkyçur miliona përdorues në mbarë botën.
Meta, e cila ka në pronësi të dy platformat, ka konfirmuar se po përballet me probleme.
“Jemi në dijeni për një problem me qasjen në Facebook. Inxhinierët tanë janë duke punuar për të zgjidhur këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur”, ka njoftuar kompania me bazë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Downdetector, i cili monitoron rëniet nga sistemi të platformave globale, ka regjistruar dhjetëra mijëra raportime të mosfunksionimit të dy rrjeteve sociale.
Tash për tash nuk dihet se çfarë ka shkaktuar rënien nga sistemi të Facebook-ut dhe Instagram-it më 5 mars, por përdoruesit e tyre po e shfrytëzojnë platformën rivale, X, që dikur njihej si Twitter, për të shprehur zemërimin e tyre.
Përveç Facebook-ut dhe Instagram-it, raportohet se as Messenger dhe Threads, po ashtu platforma të Meta-s, nuk janë duke funksionuar.
Një rënie e ngjashme nga sistemi e platformave të Meta-s kishte ndodhur më 2021, kur një problem konfigurimi kishte pamundësuar përdorimin e Facebook-ut, Instagramit dhe WhatsApp-it për disa orë.