“Facebook” shtrin “Messenger Kids” në 70 vende
“Facebook” njoftoi sot se e ka shtrirë “Messenger Kids”, në 70 vende të reja, duke thënë se kjo mund t’i ndihmojë fëmijët e vegjël të vazhdojnë të mësojnë dhe të lidhen me miqtë e tyre edhe gjatë kufizimit.
Gjiganti i medieve sociale, gjithashtu, dëshiron të shtojë edhe mënyrën e mbikëqyrjes nga prindërit, të cilët do të jenë në gjendje të aprovojnë kontaktet e reja të zgjedhura nga fëmijët e tyre nën 13 vjeç.
“Mes shkollave të mbyllura dhe distancimit social, prindërit po i drejtohen më shumë se kurrë teknologjisë për të ndihmuar fëmijët e tyre”, tha Antigone Davis, drejtore e sigurisë në “Facebook”, në një deklaratë në internet.
“Është një aplikacion për mesazhe dhe telefonata-video, që lejon të vegjlit të bisedojnë me miqtë dhe familjen e tyre në një mjedis argëtues, të kontrolluar nga prindërit”, shtoi Davis.
“Messenger Kids” u lançua në vitin 2017 në SHBA dhe më vonë u shtri në Kanada dhe një pjesë të vogël të vendeve të tjera, me synimin që “Facebook” të përdorej nga fëmijë shumë të vegjël.