Facebook synon të ndihmojë dhjetëra miliona njerëz, që të marrin vaksinën kundër Covid-19
Drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, ka zbuluar planet e rrjetit social për të sjellë miliona njerëz në të gjithë botën një hap më pranë marrjes së vaksinave kundër Covid-19.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjiganti i teknologjisë, i cili zotëron Instagram dhe WhatsApp, njoftoi të hënën se do të përdorë platformat e tij për të ndihmuar përdoruesit të mësojnë më shumë rreth vaksinave Covid-19, duke përfshirë se ku dhe kur mund të vaksinohen.
Një gjë e tillë është bërë nga vet bosi i Facebook, Zuckerberg, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar: “Ne kemi lidhur tashmë mbi 2 miliardë njerëz me informacionin autoritar rreth Covid-19. Tani që shumë vende po shkojnë drejt vaksinimeve për të gjithë të rriturit, ne jemi duke punuar në ‘mjete’ për ta bërë më të lehtë për të gjithë që të vaksinohen gjithashtu”.
Siç kujtojnë mediat e huaja, Facebook u bashkua me Spitalin e Fëmijëve të Bostonit në një ‘mjet’ për të ndihmuar përdoruesit e SHBA-së të mësojnë vendet e afërta ku mund të vaksinohen.
Veç kësaj, bëhet e ditur se vendndodhjet sigurohen nga VaccineFinder dhe përfshijnë informacionin e kontaktit, orët e funksionimit dhe lidhjet për të aranzhuar kohën.
Kjo mund të arrihet përmes Qendrës së Informacionit të Facebook-ut për Coronavirus (Covid-19) dhe do të mbështetet në 71 gjuhë, me planet për ta zgjeruar atë në vendet e tjera ndërsa rritet disponueshmëria e vaksinave.