‘Facebook’-u dhe ‘Instagram’-i eliminojnë lajmet e rreme për koronavirusin
Teksa koronavirusi është tashmë një emergjencë shëndetësore globale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e gjithë bota po përpiqet që ky virus vdekjeprurës të shkaktojë sa më pak viktima.
Dhe gjiganti i rrjeteve sociale “Facebook” ka ndërmarrë një fushatë të pazakontë për sa i përket lajmeve të rreme të përhapura në këtë platformë për sa i përket koronavirusit. “Facebook” po monitoron dhe po fshin të gjitha lajmet që nuk janë të vërteta dhe që përpiqen të përhapin panik rreth virusit në fjalë. Po kështu po ndodhe me rrjetin tjetër sociali “Instagram”. Ndërkohë po hiqen edhe të gjitha lajmet e rreme që në fokus kanë vaksinat kundër koronavirusit.
Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Organizata Botërore e Shëndetit shpalli emergjencën globale. “Facebook” njofton se do të mbështetet në organizatat shëndetësore për të gjetur lajmet që mund të jenë të dëmshme. Tani ka gati 10,000 raste të virusit të konfirmuar globalisht, në 19 vende, sipas BBC News .
Vendimi për të hequr plotësisht dezinformatat e dëmshme qëndron në kontrast me qëndrimin e “Facebook”-ut për gënjeshtrat politike. Në fillim të këtij viti, për shembull, kompania tha se do të vazhdojë të lejojë që gënjeshtrat të përhapen përmes reklamave politike , në mënyrë që ata të shqyrtohen në publik. Por në këtë rast “Facebook” ka vepruar komplet ndryshe.