‘Facebook’-u fshin llogari me origjinë nga Rusia
Rrjeti social “Facebook” ka njoftuar se ka fshirë dhjetëra llogari që besohet se ishin me origjinë nga Rusia.
Kompania ka theksuar se këto llogari ishin të përfshira në “sjellje të koordinuar joautentike”.
Në shënjestër të kompanisë ishin llogaritë që mashtronin për autenticitetin dhe se nuk ishte e qartë kush qëndronte pas tyre.
Kjo masë e “Facebook”-ut ka përfshirë edhe llogaritë në rrjetin social “Instagram”.
“Ne gjetëm dy operacione të ndara me origjinë nga Rusia që përdorën taktika të ngjashme, duke krijuar rrjete të llogarive për të mashtruar të tjerët për atë se kush ishin dhe çfarë po bënin”, ka thënë Nathaniel Gleicher, kreu i sigurisë kibernetike në “Facebook”.
“Sjellja e koordinuar joautentike ishte pjesë e një rrjeti me origjinë nga Rusia që u përqendrua në Austri, vendet baltike, Gjermani, Spanjë, Ukrainë dhe Britaninë e Madhe”, ka deklaruar ai.
Ukraina ishte fokusi i 97 llogarive në “Facebook”, faqeve ose grupeve të larguara nga rrjeti social, ka thënë Glechieri.
Postimet nga llogaritë përfshinin zakonisht lajme lokale dhe politike, për konflikte ushtarake në Ukrainën lindore, luftën në Siri dhe politikën ruse.
“Facebook”-u nuk e ka zbuluar identitetin e atyre që qëndrojnë pas këtyre llogarive.
Ky veprim është pjesë e përpjekjes më të fundit të gjigantit të medieve sociale për të shkurtuar numrin e llogarive të rreme që janë përhapur në platformë gjatë viteve të fundit.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se “Facebook” dhe platformat të tjera të medieve sociale janë përdorur nga një kompani ruse e quajtur Agjencia e Kërkimeve në Internet për të mbjellë mosmarrëveshje dhe përhapjen e keqinformimit në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në ShBA.
Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, ka paditur kompaninë, pronarin e saj të supozuar dhe disa të tjerë për përdorimin e tyre të rreme të “Facebook”-ut gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.