‘Facebook’-u me kartolina do të pengojë ndërhyrjen e huaj në zgjedhje
Rrjeti social “Facebook’ ka njoftuar se do të përdorë kartolinat, e dërguara përmes postës amerikane, për të parandaluar ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet në ShBA, në të ardhmen.
Katie Harbath, shefe ekzekutive e “Facebook’-ut, ka thënë se rrjeti social do të dërgojë kartolina te blerësit potencialë të reklamave politike, për të konfirmuar se ata banojnë në ShBA.
Kompania e ka prezantuar planin e saj, dy ditë pasi këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, ka akuzuar 13 rusë për ndërhyrje në zgjedhjet në ShBA, më 2016.
Në aktakuzë është thënë se agjentët rusë kanë vjedhur numrat e sigurimeve sociale dhe informacione të tjera nga amerikanët dhe se i kanë përdorur ato për të krijuar llogari bankare online për blerjen e reklamave.
Në muajin nëntor janë bërë publike një seri reklamash në “Facebook” që kanë pasur lidhje me përpjekjet e agjentëve rusë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në ShBA.
“Facebook” nuk dha hollësi për metodën e verifikimit të agjentëve përmes kartolinave.