Fadil Bytyqi emërohet president i ri i FC Suhareka

22 janar 2025 | 16:31

FC Suhareka e ka mbajtur të mërkurën Kuvendin Zgjedhor ku është zgjedhur presidenti i ri, Fadil Bytyqi. Në këtë Kuvend janë zgjedhur edhe anëtarët e tjerë të bordit: Adrian Hoxhaj (nënkryetar), Hamdi Bytyqi (anëtar), Shyqeri Hoxhaj (anëtar), Edin Berisha (anëtar), Berat Berisha (person zyrtar i klubit). Presidenti Bytyqi shprehu falënderime për besimin e dhënë dhe konfirmoi përkushtimin e tij për të punuar pa kompromis për rritjen dhe suksesin e klubit.

Ndërsa FC Suhareka ka konsideruar se për klubin ka filluar një epokë e re: “Ky moment shënon fillimin e një epoke të re për klubin tonë, ku synojmë të fuqizojmë ekipin, të avancojmë projektet për të rinjtë dhe të arrijmë suksese të reja sportive. Në emër të klubit tonë, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë anëtarët e kryesisë së kaluar të FC Suhareka për përkushtimin, sakrificat dhe punën e palodhshme gjatë mandatit të tyre”.

“Udhëheqja juaj ka qenë një faktor kyç në zhvillimin dhe arritjet e klubit, duke lënë një trashëgimi të çmuar për të ardhmen tonë. Faleminderit për vizionin, përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që keni ofruar për çdo lojtar, tifoz dhe projekt të klubit. Tani, me mbështetjen e të gjithëve, ne synojmë të vazhdojmë rrugën drejt majave të reja. Ju mbeteni gjithmonë pjesë e historisë dhe familjes sonë të madhe!”, thuhet në postimin e FC Suhareka. Klubi nga Suhareka garon në Superligën e Kosovës në futboll, derisa sezonin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë me 25 pikë të grumbulluara.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kyle Walker mund të konsiderohet një lojtar i Milanit. Klubi…