Fadil Hysaj, profesori që donte të bëhej piktor, u bë regjisor
“Profesorin Fadil Hysaj çdo njëri që sot e njeh, nuk e njeh sa e njohim ne. Shumica e studentëve të tij, miqtë e tij të gjeneratës së re, e njohin vetëm profesorin e regjisë, profesorin e aktrimit, profesorin e dramaturgjisë, të dramatologjisë. Pakkush di që profesor Hysaj fillimet e para të karrierës nuk i ka nisur në teatër, por në poezi dhe në një atelie personale. Ai, kur ishte i ri, shkruante poezi për dashurinë. Kur ishte i ri, pikturonte. Kur ishte i ri, recitonte. E para se të bëhej regjisor, nisi të bëhej piktor, por u bë aktor. Një ditë prej ditësh, pasi përfundoi shkollimin e mesëm, ia mësyu Fakultetit të Arteve të Bukura për t’u bërë piktor, por në këtë fakultet aplikoi për aktor. Ka shkruar qindra shkrime për teatrin, për skenën, për dramat, për shfaqjet, edhe skenarët për filmat “Njeriu prej dheu”, “Syri i keq”, “Hana” etj. Ka realizuar rreth gjashtëdhjetë shfaqje teatrore. Ka shkruar dhe i janë botuar dhjetëra drama me motive nga poezitë e poetëve shqiptarë dhe me motive nga proza e prozatorëve shqiptarë. Para këtyre ka botuar një përmbledhje me drama origjinale. Kritika, interpretime dhe vështrime për drama dhe për shfaqje, pa numër. Angazhim, për zhvillim teorik të studentëve dhe të profesionistëve të skenës, ka dhënë edhe me botimin e përmbledhjes “Teatrologji, dramaturgji, regji dhe aktrim”, të cilën, për shkak të rëndësisë së madhe e temave të ndryshme që ka përfshirë në të, do ta përdorin studentët e regjisë së teatrit, të filmit, të dramaturgjisë, të skenarit, gjithmonë. Ka botuar disa numra të revistës “Theatri”. Për veprimtari në fushën e artit dhe të kulturës është nderuar nga Presidenca e Kosovës, por edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Çmimin për Vepër Jetësore. I ka këshilluar edhe udhëheqësit e shtetit sa ka qenë këshilltar i tyre. U ka dhënë, kryesisht, këshilla për kulturën dhe ka bërë përpjekje t’i bëjë më të kulturuar dhe më mbështetës të kulturës. Vepra jetësore e tij në fushën e kulturës është shumë e pasur dhe ka rrënjë të shtrira në shumë skena shqiptare dhe të huaja. Kapitalin më të madh intelektual nuk e ka dhënë vetëm në Fakultetin e Arteve të Bukura në Prishtinë. E ka dhënë edhe duke realizuar shfaqje nëpër teatro të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, të cilat, kritikët e teatrit të viteve ’70 dhe ’80 si, ta zëmë, Musa Ramadani, Vehap Shita dhe ndonjë tjetër, gjithmonë shkruanin mirë për punën e tij prej regjisori, për saktësitë e elementëve të dramave që përzgjidhte nga veprat dhe që i përcillte në skenë. Punën e tij studentët e kanë çmuar gjithnjë. Edhe afërsinë me të. Edhe bashkëpunimin me të. Gjatë viteve ’90 ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve dhe iniciator për themelimin e Degës së Regjisë së Teatrit, Regjisë së Filmit, Dramaturgjisë, edhe për Degën e Muzikës dhe Artit Figurativ në studimet master. Me shije dhe kujdes të veçantë edhe prej arkitekti, fshatin e harruar Kukaj, disa kilometra larg Prishtinës, veç sa nuk e ka bërë park kombëtar. Atje ka ndërtuar një skenë të pavarur dhe shumë të dashur për publikun vendor dhe ndërkombëtar. “Etnofest”-i i tij, s’është festival më vetëm i tij. Është i cilido njeri që shkel në gurët, rrasat dhe prek muret dhe trarët e tij. Është i cilido që shkon, shikon dhe shijon lloje të ndryshme të artit dhe të skenave dhe merr pjesë në punëtoritë e shumëllojshme të tij. Padyshim se sot është festivali më i veçantë në të gjithë hapësirën shqiptare. Është një festival që, ashtu sikurse librat e vjetër, ka çmim të madh, sepse është bërë me mund të madh kohë të gjatë. Për të gjitha këto angazhime, që nga mosha e tij e rinisë e deri më sot, të premten kemi biseduar me profesor Hysajn në hapësirën e organizatës “Etea”, në kuadër të edicionit V Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” koordinatori i aktiviteteve letrare të panairit, Berat Armagedoni. Hysaj u është përgjigjur pyetjeve të moderatores Alketa Gashi Fazliu dhe atyre të publikut. Ai është përgjigjur në pyetjet më poshtë, ndërsa përgjigjet e tij do t’i publikojë gazeta “Epoka e re” gjatë ditëve të ardhshme:
- Pse hoqët dorë nga poezia, nga piktura, nga aktrimi, për regjinë?
- Aktor, lind apo bëhesh?
- Keni një përmbledhje me drama autoriale, edhe dy përmbledhje me drama me motive nga poezi të poetëve shqiptarë dhe, gjithashtu, me motive nga proza e autorëve shqiptarë. Sa është e vështirë poezia të bëhet dramë? Proza, besojmë, nuk është shumë e vështirë, se ka brumë shumë.
- Regji, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, keni bërë edhe para luftës, kur lirinë e shprehjes regjisoriale, as atë dramaturgjike, nuk e kishit të plotë për shkak të pushtetit serb. Çfarë bënit që mesazhet e një drame, me motive kombëtare dhe politike, t’i përcillnit në shfaqje për publikun pa u marrë vesh nga agjentët e Serbisë?
- Profesor, pse studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike, studentëve të regjisë, të aktrimit, të dramaturgjisë, të skenarit të televizionit e të filmit, u mungon literatura teorike kur, në gjuhën angleze, frënge, spanjolle, ka mjaft?
- Me çfarë elementësh letrare është pasuruar sot drama shqipe nga ajo e traditës?
- A ka dramë postmoderne letërsia shqipe? Si ta dallojmë atë?
- Shpeshherë keni qenë anëtar i jurisë së MKRS-së për çmimet vjetore të konkursit “Katarina Josipi”. Vërejtjet tuaja, për disa dorëshkrime të dramave, i kemi parë dhe dëgjuar atë ditë që i jepnit çmimet për laureatët. Çfarë u mungonte atyre dorëshkrimeve të dramave që i shkualifikoi juria?
- Gjuha e personazhit dhe përshtatja e karaktereve, sa janë të rëndësishme në një shfaqje?
- Më e është vështirë është puna e regjisorit të filmit apo të teatrit?
- Teatri Kombëtar i Kosovës, a ka sot shfaqje kombëtare si dikur?
- Çfarë duhet bërë për të bërë një film të suksesshëm?
- Në festivalin tuaj “Etnofest” rëndësi të madhe i keni kushtuar traditës, ruajtjes së saj. Mbase për shkak të shumë elementëve të vjetra që keni aty, sot është një prej festivaleve më të vizituara. Po këto librat e traditës në këtë panair dhe po ky panair, sa janë të veçantë për ju?