Fadil Vata, një kujtim më ndryshe
Shkruan: Ragip Shala
a) – Fadil Vata gjatë vitit shkollor 1979/80, në QAMO “Jeta e Re” në Suharekë shquhej për dy interpretime: për interpretim në skenën teatrore dhe interpretim me çifteli.
Ai me tingujt e çiftelisë na i ofronte meloditë e këngëve të Dervish Shaqës, kurse Ymer Balaj e shoqëronte me zërin e tij të kumbueshëm sidomos këngët “Pyet Kosova për një çikë” dhe “kur ta kthymë Kosovë shpinën”.
Fadil Vata dhe Kadri Veselaj përmes çiftelive na krijonin një bosht magnetikë që ne të tjerët rrotulloheshim përreth tyre.
Rrotulloheshim kush me ndoni libër botime të Tiranës, kush me ndoni gazetë klandestine, këmbenim libra dhe kaseta radiofonike por nga një herë këndonim edhe në kor, dhe pa dyshim akteri më i dalluari ishte Fadil Vata. E terë kjo veprimtari krijonte gërshetimin e lëvizjes klandestine me lëvizjen artistike në komunën e Suharekës.
b) – Gjatë grevës së minatorëve dhe studentëve, shkurt 1989, në sallën e sporteve “25 maji” mëse 10 mijë studentë grevistë brohorisnin Trepça! Trepça!, në shenjë solidarizimi me minatorët e Trepçës.
Në një moment në hyrje të sallës jemi takuar me Fadil Vatën dhe shoqëruesin e tij Afrim Zhitinë, i cili u prezantua me një emër tjetër. Fadili si më shaka pyeti: “Çfarë bëhet këtu ndoni ndeshje futbolli”? Pas diskutimeve për rrjedhën e grevës së studentëve, Fadili së bashku me shoqëruesin e tij, Afrim Zhitinë parashtruan kërkesën që: “Tani ka ardhur koha të brohoritet vetëm për Kosovën Republikë”.
c) – Fadil Vata sekretar politik dhe Afrim Zhitia sekretar organizativ të LPK-së, dy sekretarë të organizatës ishin në ballë të Pranverës Republikane 1989 në Kosovë.
d) – Më 30 maj 1989, kur Kosovën e vizitonin 25 parlamentarë evropianë në krye me zonjën Doris Pack, nën organizim të LPK-së është demonstruar kundër zaptimit serb në Podujevë dhe Prishtinë. Në Podujevë gjatë kacafytjeve me armë në mes çetës së Llapit dhe forcave të Beogradit bie guerilsi Ali Ajeti. Në Prishtinë në qendër të qytetit, në korzo dhe në qytetin e studentëve, pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme niveli i tretë është demonstruar kundër kushtetutës së tanksave. Fadil Vata sekretar politik dhe Afrim Zhitia sekretar organizativ të LPK-së, dy sekretarë klandestin na prinë në demonstratën për liri, demokraci dhe republikë.
e) – Në ditën e varrimit të Fadil Vatës, në cilësinë e kontraktuesit kam kontraktuar 6 autobusë të ndërmarrjes Turist Kosova, për studentët që do të merrnin pjesë në varrim. Për mbarëvajtje janë angazhuar studentë suharekas: Ahmet Gashi, Nuredin Morina, Nesim Morina, Mejdi Gega Shaqir Kryeziu, Hasan Morina, Sinan Kryeziu, Ruzhdi Cikaqi, Ragip Shala etj.
Me kurora dhe buqeta lulesh rreth 350 studentë të Universitetit të Prishtinës kanë marrë pjesë në varrimin e Fadil Vatës në f.sh. Sellagrazhd të Komunës së Suharekës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Heroin Fadil Vata
Lavdi!