‘Fadil Vokrri’ i gatshëm për ndeshjet e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës dhe ndeshjen promovuese të AlbiMall Superligës
Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do t’i mirëpresë dy ndeshjet e rrethit të tretë të Ligës së Konferencës, që zhvillohen më 8, përkatësisht 15 gusht, si dhe ndeshjen e javës së parë të AlbiMall Superligës, Prishtina – Suhareka 23.
Presidenti Agim Ademi ka bërë të ditur se e ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ që këto ndeshje të zhvillohen në stadiumin e rinovuar.
“Kemi vendosur që të lejojmë zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, përkundër faktit që fushës ende i duhet kohë, por stafi i stadiumit e ka bërë të pamundurën që ajo të përgatitet në kushte optimale. Nuk kemi dashur që klubet tona të vijnë në situatë që t’i zhvillojnë ndeshjet e këtij rrethi jashtë vendit. Uroj që ato të kenë sukses në fushën e re të stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe të kalojnë tutje në Ligën e Konferencës”, ka theksuar kreu i FFK-së.
Ademi po ashtu ka uruar edhe të gjitha klubet për kampionatin e ri, i cili nis më 10 gusht.
“Ne si FFK i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për edicionin e ri garues dhe besoj se edhe klubet janë të gatshme. Uroj të gjitha skuadrat për një kampionat të rregullt, të frytshëm dhe të suksesshëm, e mbi të gjitha përplot emocione. Për një promovim sa më mirë të edicionit të ri edhe ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Suharekës 23 do të zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka shtuar Ademi.
Pas këtyre ndeshjeve fusha do të rikuperohet në mënyrë që të jetë e gatshme për ndeshjen e Kombëtares së Kosovës kundër Rumanisë në fillim të shtatorit.
I pari që do të zbresë në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë ekipi i Ballkanit, që ndeshjen e parë të rrethit të tretë kundër skuadrës nga Irlanda e Veriut, Larne e luan si vendas, më 8 gusht, derisa më pas më 11 gusht, Prishtina do të luajë kundër Suharekës 23, si dhe më 15 gusht Drita do të jetë mikpritëse e skuadrës FK Auda nga Letonia.