Fahredin Shehu, pjesë e projektit të skulptorit të famshëm italian Lanfredini
Në një projekt që ka zgjatur dy vjet, artisti/skulptori i njohur italian Italo Lanfredini ka punuar barkën e drurit, në të cilën ka gdhendur poezitë e emrave më të njohur të poetëve botërorë aktualisht, në mesin e të cilëve edhe të poetit Fahredin Shehu.
Kohë më parë, poezitë, së bashku me barkën dhe skulpturat e tjera, janë ekspozuar në Villa Medici del Vascello në Cremona të Italisë. Familja Medici ishte tutor e shumë artistëve të mesjetës, ndërkaq në vilën e saj sot organizohen shumë aktivitete kulturore.
Poeti Fahredin Shehu është paraqitur me poezinë “I mbërthyer në jehonën e guaskës bojëylber”, të përkthyer në italisht nga Anila Stojku. Po kjo poezi është përkthyer edhe në hebraisht nga poetesha e njohur Izraelite Gili Haimovich, e cila me këtë botim Shehut ia uroi Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe u botua në Jerusalem, ndërkaq në gjuhën greke poezia e tij është përkthyer nga poetesha Alma Braja.
Sipas Shehut, ky projekt, i cili zgjati rreth dy vjet, është një nga projektet e rëndësishme pasi që janë përfshirë emrat e njohur të letërsisë si Fiona Samspon, Marilyne Bertoncini, Gili Haimovich, Carlo Alberto Sita, Guiliano Scabia, Evelina Schatz etj.