Fahrije Hotit dhe grave të Krushës iu refuzua granti, vëllait të Fitore Pacollit të VV-së iu dha projekti rreth 100 mijë euro
Ministria e Bujqësisë, ka refuzuar të mbështesë projektet e Kooperativës Bujqësore “Krusha” nga Rahoveci, të Fahrije Hotit, dhe ka subvencionuar projektin e vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Këtë e dëshmon një dokument që ka publikuar sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ku shihet se si Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë më 1 Korrik të këtij viti ka refuzuar përkrahjen për “Kooperativën Bujqësore “Krusha” të udhëhequr nga Fahrije Hoti, e cila kishte aplikuar në projektin “Blerja e linjave të makinerive për përpunimin dhe konservimin e perimeve”, shkruan Reporteri.net.
Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në vendimin refuzues ka thënë se Koperativa Bujqësore “Krusha” nuk i plotëson kushtet siç përcakton Udhëzimi Administrativ Nr.14/2023 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillimin Rurarl për vitin 2023, të datës 19.10.2023.
Pas publikimi të këtij vendimi, Çitaku, thotë se qeverisja aktuale është e korruptuar materialisht, moralisht, politikisht dhe intelektualisht.
“Pra, Fahrije Hotit nga Krusha, i refuzohet projekti, e vellaut të deputetes së VV-së i ndahen 100.000 euro. Të korruptuar materialisht, moralisht, politikisht, intelektualisht”, ka shkruar Çitaku.
Kujtojmë se dje zyrtari i LDK-së, Egzon Pacolli bëri një denoncim për ndarjen e një granti në vlerë prej 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, saktësisht Agjencia për Zhvillim Bujqësor me përfitues Blerim Pacolli, vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është Kryetare e Komisionit për Bujqësi me emër të Projektit “Ndërtimi i stallës dhe lopë qumështore”.
Kontrata me firmën e tij “Alda Farm Ria”, është nënshkruar me 16 korrik, a firma ishte hapur veç 4 ditë ma herët, me 12 korrik.
Në një dokument që u publikua më pas, figuron se ky projekt është me bashkëfinancim.
“Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë – AZHB/MBPRZH do të financoj projektin tuaj me vlerë 65% nnga shuma e pranuar e investimit, pas kryerjes së investimeve, pas kontrollës së dytë në terren dhe llogaritjes së faturave. Koha e kryerjes së investimeve, është paraparë me kontratë. Nëse investimet i përfundoni para afatit të paraparë me kontratë ju mund të lajmëroheni edhe më herët për të bërë kërkesën për pagesë”, thuhet në këtë dokument, që mban datën e 14 qershorit 2024.
Pas reagimeve të shumta për këtë rast, ka dalë me reagim edhe vetë Ministri Faton Peci.
Peci ka thënë se “Ministri nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon, nuk miraton e as nuk refuzon individë, si dhe nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”, shkruan Reporteri.net.
“Pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive të tjera opozitare simotra PLANS, si dhe për të informuar publikun,(përkundër dëshirës sonë), do të ndajmë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik. Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete. Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor!”, ka shkruar Peci.
“Nëse opozita mendon se 438,000 votuesit e ndryshimit duhet të jenë të privuar nga të drejtat qytetare për të qenë përfitues të granteve dhe të punësimit, le ta harrojnë se mund të diktojnë vazhdimin e diskriminimit. Ndërsa forma e përfitimit të grantit dihet më së miri nga 1003 përfituesit aktualë”, ka shkruar tutje Peci.