Faik Fazliu dërgon ankesë dhe raport mjekësor, IPK-ja nis hetimet
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë arrestuar mbrëmjen e së shtunës anëtarin e Kryesisë së OVLUÇK-së, Faik Fazliu.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu është thënë të jetë arrestuar për shkak të kanosjes në drejtim të një prej zyrtarëve policorë.
“I dyshuari F.F i lindur në vitin 1977, ka kanosur verbalisht personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrë zyrtare. Zyrtarët policorë po asistonin në kontrollimin e një lokali (kafiteri), së bashku më inspektorët e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave anti-Covid-19”, është thënë në përgjigjen e policisë.
Gjithashtu është theksuar se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Në disa video të publikuara dje shihet se zyrtarët policorë arrestuan Fazliun pas një bisede tejet të shkurtër me të, ndërsa i njëjti u lirua të nesërmen, apo saktësisht ditën e djeshme.
Lidhur me këtë rast, “lajmi.net” ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) , i cili ka bërë me dije se pas publikimit të pamjeve, kanë filluar një hetim preliminar.
Gjithashtu është theksuar se hetuesit e Departamentit të menaxhimit të ankesave të hënën në objektin e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar ankesën e Faik Fazliut, bashkë me raportin mjekësor.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK-ja pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj. Hetuesit e Departamentit të menaxhimit të ankesave sot në objektin e IPK-së kanë pranuar ankesën nga z. Fazliu së bashku me raport mjekësor dhe të njëjtat së bashku ankesë janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së”, ka njoftuar IPK-ja.
Më tutje është thënë se veprimet tjera hetimore pritet të ndërmerren bazuar në fushëveprimin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Për arrestimin e Faik Fazliut ka pasur i reagime të njëpasnjëshme. Ndër ata të cilët kanë reaguar ka qenë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, i cili kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm të Fazliut
Por, tjetër reagim ka pasur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës, nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa.
“Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë. Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtyre muajve ka pasur një numër të madh të ankesave në drejtim të zyrtarëve policorë.
Gjatë vitit 2020, IPK-ja kishte rekomanduar 83 suspendime dhe një transferim, ndërsa përgjatë kësaj periudhe janë arrestuar 23 zyrtarë policorë.