Faik Geci, kandidati i PDK-së për deputet nga Llausha e Skenderajt
Ish-kryetari i nëndegës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në fshatin Llaushë të Skenderajt, Faik Geci është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit.
Geci është kandidati i vetëm i PDK-së për deputet nga Llausha. Ai mban numrin 104 në listën e kësaj partie.
Faik Geci në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Llausha është në përkrahje të plotë të Dekadës së Re në krye me Kadri Veselin për kryeministër.
Geci ka thënë se është nder për të që i është dhënë besimi për të qenë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.
“Vendit më shumë se kurrë i duhet ndryshimi. Të bashkuar për një Kosovë pa korrupsion, pa nepotizëm, për forcimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, arsimim më cilësor, dhe shërbime më të mira shëndetësore. Na priftë e mbara për Dekadën e Re!”, ka shkruar Geci.
/Epoka e re/