Fajon e thotë prapë: Kosova ka përmbushur kriteret për viza
Eurodeputetja dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Tanja Fajon, ka ripërsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të lëvizur lirshëm dhe se pret nga Komisioni Evropian që të jetë më i përkushtuar rreth kësaj çështje.
Në një deklaratë për “lajmi.net”, Fajon ka theksuar se është koha që BE-ja t’i përmbushë premtimet e veta. Ajo ka shtuar se pret shumë nga Komisioni Evropian dhe Presidenca Finlandeze sa i përket kësaj çështje.
“Siç e dimë, Kosovës iu dha drita e gjelbër për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian në muajin prill. Supozohet se Komisioni i ri Evropian (KE) do ta nisë punën në dhjetor. Unë pres prej KE-së dhe kryesimit të Finlandës të jenë më të përkushtuara ndaj kësaj çështjeje. Unë u kam bërë thirrje atyre ta kthejnë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Unë mbaj qëndrimin e njëjtë: Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet të cilat është pritur t’i plotësojë. Është e nevojshme që BE-ja ta mbajë premtimin e vet”, ka thënë Fajon.
Më tutje, Fajon ka shtuar se Parlamenti Evropian ka mjaft dështime në Ballkanin Perëndimor dhe se ajo beson se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të kthehet në tryezë. “Në kohët e fundit, ne në Parlamentin Evropian dhe grupi S&D kemi mjaft dështime në çështjet e Ballkanit Perëndimor. Është koha ta nisim t’i përmbushim premtimet, gjithashtu. Sa i përket kësaj, unë sinqerisht shpresoj se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të kthehet në tryezë gjatë presidencës së Finlandës”, ka thënë Fajon.
Kujtojmë se Fajon vazhdimisht ka ripërsëritur se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për ta fituar liberalizimin e vizave dhe se BE-ja po tregohet e padrejtë me vendin.