Fajoni: Një vit i rëndësishëm për zgjerimin e BE-së, pres raporte inkurajuese në samitin e Brukselit
Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ka thënë se ky vit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se pret raporte inkurajuese në Samitin e BE-së lidhur me këtë proces.
Në një intervistë për agjencinë maqedonase “MIA”, Fajoni ka theksuar se “zgjerimi është bërë imperativ gjeostrategjik”.
Ajo ka kujtuar detyrimin nga Forumi Strategjik i Bledit që Evropa të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse shikojmë se çfarë po ndodh rreth nesh, agresionin rus në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme, Bashkimi Evropian duhet të jetë i fortë dhe duhet të jetë i bashkuar. Ne kemi një detyrim të qartë që shtetet të përgatiten për zgjerim deri në vitin 2030. Dhe nga ana tjetër, unë dhe Sllovenia përpiqemi që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të gatshme dhe të afta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo, duke shtuar se dëshiron të shohë fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bosnje dhe Hercegovinën, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
“Në këtë kontekst, është thelbësore që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të hapin dhe të fillojnë negociatat konkrete me një konferencë të re ndërqeveritare”, ka thënë Fajoni.