Fakti dhe fiksioni në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

28 janar 2022 | 09:02

ALBIN MEHMETI

Intelektuali-pushteti, binom bashkëpunimi a(po) konfrontimi?

Vdekja më vjen prej syve të tillë është romani me të cilin fillon krijimtaria prozaike e Rexhep Qosjes. Vetë autori në paratekst thotë se këtu janë trembëdhjetë tregime që mund të bëjnë një roman. Romani, para se të botohej në tërësi, u botua pjesë-pjesë në revistën Jeta e re, por jo me emrin e autorit, por me pseudonimin Luan Dukagjini. Por, pse është pikërisht ky emër për roman? Në plan të parë, sapo ta shohim titullin, na asocion me një roman dashurie, por gjatë leximit të tij do të kuptohet si vdekje që vjen nga sytë e spiunëve të UDB-së dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Sa i përket titullit të romanit autori flet në ditarin e tij, ku thekson se ky është një titull i pafrymëzuar prej letërsisë së lexuar, titull që erdh vetvetiu, natën, gjatë pagjumësisë derisa po mendoja për rolin e personazhit të tretë që ia kam vënë emrin Danjoll, në roman, Danjolli është emër shqiptar, por shumë lehtë mund të bëhet Danilllo[1]. Këtu Qosja me një thikë me dy tehe trajton problemin e madh të spiunllëkut: problemin etnik, luftën në mes të shqiptarit dhe serbit, po ashtu edhe një problem më të zgjeruar, që edhe sot është aktual, ai të shërbimit të shqiptarëve në strukturat e larta të Shërbimit Informativ Jugosllav, të cilët, në të shumtën e rasteve, ishin më të egër se serbët.

Romani Vdekja më vjen prej syve të tillë paraqet jetën e Xhezairit të Gjikës i cili ishte një intelektual i kohës, por që përballet me dhunën e egër të pushtetit nën akuza të paqena, duke e akuzuar atë si terrorist, si njeri që thyen ligjet e shtetit dhe thyen parimet me të cilat ishte ndërtuar shoqëria e atëher­shme jugosllave. Xhezairi i Gjikës do të përballet me një pushtet të egër, i cili do të ndërhyjë edhe në punët familjare, duke ia shkatërruar edhe raportet me gruan. Siç potencon studiuesi Hasan Mekuli, te ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ gërshetohen simbolika dhe realiteti, e mira dhe e keqja, jeta dhe vdekja, ëndrra dhe zhgjëndrra, besime në çudinë dhe besimi në jetën, pesimizmi dhe optimizmi.[2] Torturat aq të egra dhe brutaliteti i treguar nga regjimi komunist, konkretisht nga Sigurimi Shtetëror (i njohur në popull si UDB-a) bënë që Xhezairi të besojë edhe në fantazi. Jeta e tij do të jetë mes realitetit dhe arealitetit. Kjo gjendje e shtyn intelektualin e kohës të shkojë deri në zgrip të çmendurisë, duke i shkaktuar pasoja të rënda mentale, shfaqje të halucinacioneve që, sipas psikologjisë, shpjegohen si parafytyrime të atilla saqë besojmë se ato janë thuajse reale[3].

Vdekja më vjen prej syve të tillë paraqet periudhën kur ministër i Punëve të Brendshme ishte Aleksandër Rankoviq, gjatë sundimit të të cilit u zhvilluan edhe dy aksione famëkeqe, ai i aksionit të armëve dhe aksioni për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, për të cilat flet edhe autori në vepër. Duke i ditur rrethanat të cilat ishin atëkohë, autori nuk ka pasur mundësi që këto ngjarje t’i paraqesë zhveshur, pra të nënkuptohen drejtpërsëdrejti, por ato i fsheh përmes ngjarjeve dhe persona­zheve fiktive. Në lidhje me këtë, Mekuli thekson se edhe pse në këtë roman paraqitet drama e një periudhe të rëndë të një kombi, që nuk është vështirë të njohim se cili është, megjithëse shkrimtari e kamuflon dhe i jep përmasa të gjera.[4] Pra, autori nuk e lë këtu vetëm konfliktin në mes të një intelektuali shqiptar dhe pushtetit totalitar jugosllav, por ky konflikt kalon edhe si konflikt universal, mes dijes e dhunës, barazisë e pabarazisë, pushtetarit dhe të ligut. Ky konflikt, që na del të jetë konflikt fiktiv, në bazë të një realiteti të madh historik, na del edhe si konflikt primordial, konflikt mes së mirës dhe së keqes.

Xhezairi i Gjikës është prototipi i intelektualit shqiptar që dënohet pa faj. Ai dënohet si heretik i një sistemi a ideologjie, për të cilin, në një formë a në një tjetër, me vetëdije a pave­tëdije, thërret në të, pra thirrje për barazi mes popujve, apo ta quajmë me termat historikë të kohës, barazi mes kombeve dhe kombësive. Xhezairi i Gjikës është personazh fiktiv i Qosjes, por që realisht ai mund të jetë emër i kamufluar i çdo intelektuali shqiptar, që atëkohë vuajti dhe u dënua, mbase edhe u (vetë)vra. Nuk janë të rralla rastet kur intelektualët shqiptarë arrestoheshin dhe dënoheshin me dënime të rënda, shpeshherë edhe kapitale për shkak të kërkesës për barazi në Jugosllavi. Nëse do t’i përdorim termat aristotelianë, atëherë mund të shprehemi se Xhezairi i Gjikës pëson dënimin për shkak të fajit pa faj apo i njohur në terminologjinë e teorive tradicionale si hamartia, apo faj i trashëguar. Ky faj i Xhezairit të Gjikës, si intelektual fiktiv i letërsisë që, në fakt, është alter-egoja e intelektualit real shqiptar, ndryshon nga faji i heronjve fiktivë antikë, pasi që faji tanimë nuk është faj i ndonjë krimi a vepre të ligë që kanë bërë paraardhësit, por është faji gjenetik, faji se ata i takojnë një kombi të caktuar, i cili, edhe pse ishte i treti për nga numri i popullsisë, ai anatemohej, diskriminohej dhe, si i tillë, konsiderohej si popull i dorës së dytë.

Siç e thamë edhe më lart, emri i romanit ndërlidhet drejtpër­sëdrejti me personazhin e tretë të veprës, spiunin Danjoll. Syri i Danjollit të Sherkës, të cilin në fillim e hasim te tregimi “Trekëndëshi”, mund ta quajmë edhe bazament i veprës. Syri i Danjollit të Sherkës, spiunit fiktiv qosjan, por që në të vërtetë është sy i një regjimi real dhe që ka ekzistuar para së gjithash, sjell vdekjen psikologjike të intelektualit, vdekjen e mendimit ndryshe dhe, mbi të gjitha, vdekjen e shpresës në Vajazan, i cili gjithmonë duhet të lexohet si Prishtinë e Jugosllavi. Danjolli i Sherkës është hiç më pak e hiç më shumë se punëtor i UDB-sëpa marrë parasysh nacionalitetin e tij, por që qëllimi ishte i njëjtë: zbatimi i urdhrave nga lart.

Qosja e tejkalon rrafshin njerëzor të fiksionit. Ai te Vdekja më vjen prej syve të tillë përveç që paraqet njerëz arealë, pra fiktivë, kalon një hap më tej. Ai arrin që edhe personazhet mitike t’i zbresë në jetën e përditshme, personazhe të marra nga folklori, mitologjia dhe besëtytnia shqiptare. Në lidhje me këtë, studiuesi Bajram Krasniqi potencon se personazhet e romanit ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ nga miti zbresin në realitetin jetësor.[5] Të dendur këtë veçori do ta hasim në tregi­min Legjenda ku, përveç njerëzve, do të hasim edhe persona­zhet mitike, të tilla si zanat, kuçedrat, pleqtë me fuqi mbinaty­rore dhe gjarpërinjtë me përmasa e pamje jo të zakonshme. Këto personazhe fiktive e mitike shpeshherë marrin edhe funksion alegorik, të paraqitjes se një realiteti të kohës por që, për shkak të rrethanave, nuk u paraqiten drejtpërsëdrejti.

Kosova pas Luftës së Dytë Botërore

Autori që në fillim të veprës, konkretisht në tregimin e parë, na jep pamjen e Vajazanit. Ai e përshkruan edhe lumin e fshatit në të cilin kishte shumë mullenja, të cilat i mbanin për të shenjta[6]. Përmes përshkrimit fiktiv të një vendi fiktiv, Qosja paraqet edhe njërën nga shpjegimet reale të etimologjisë së emrit Kosovë si fushë e mullenjave. Më tej, në po të njëjtin tregim, Qosja përmend heqjen e ferexheve, që ndodhi menjë­herë pas përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si hap në rrugën drejt krijimit të njeriut të ri, e cila ishte ide e komuni­zmit. Në këtë tregim do ta kemi individin apo edhe shoqërinë në kërkim të utopisë, në kërkim të pasurimit të vrullshëm pa punuar. Kjo mbase paraqet edhe një fakt tjetër, se kjo gjith­monë ndërlidhet me shkollimin e asaj popullate, që në atë kohë ishte në një nivel të ulët. Noel Malcolm thekson se në vitin 1948, si pasojë e politikës osmane dhe të politikës së ish-Jugosllavisë (Jugosllavia e Parë), 74 % e shqiptarëve të Kosovës mbi moshën 10-vjeçare ishin analfabetë[7]. Pikërisht këtë proble­matikë, shkollimin e ulët në një shoqëri, autori e vazhdon edhe në tregimin Trashja. Në këtë tregim paragjykimin e një shoqërie me arsimim të dobët që ka për personat me nevoja të veçanta, veçanërisht për personat me retandime mendore. Trashja, e cila lindi me probleme mendore, përqeshej nga rrethi, por më e dhimbshmja e saj është kur ajo torturohet pa mëshirë nga familja e saj, duke e detyruar atë të bëjë punë të rënda fizike. Trashja nuk është vetëm një personazh fiktiv i veprës. Është e nevoja të veçanta në shoqërinë e Kosovës që edhe sot është e lënë anash, pasi që personi me nevoja të veçanta konsiderohej mallkim për ta.

Trashja, që është personazhi më tragjik i veprës, gjykohet në radhë të parë nga familja. Atë e rrihte vëllai i saj, i cili merrte konopin, me të cilin ngarkonte kalon, e lagte mirë me ujë të pusit dhe i vërsulej asaj budallicës, që pesë ditë kishte humbur prej shtëpie dhe ia hiqte lëkurën e trashë e të fëlliqur me qëllim që të mos e turpërojë emrin e Dervishit të Mukalilit poshtë e lartë rrugëve.[8] Kjo paraqet edhe një anë të shoqërisë së kohës, një shoqërie patriarkale, në të cilën gruas i atribuohej çdo e keqe, kurse mashkulli, pa marrë parasysh veprimet e maskarallëqet e tij, prapëseprapë falej dhe nuk gjykohej nga gjyqi i shoqërisë.

Trilogjia – njerëzimi, dhuna dhe hierarkia

Në tregimin Trilogjia kemi një lloj hierarkie që paraqitet përmes objektit banesor të cilin mund ta quajmë edhe si lloj kolonie artistësh. Banimi në kate të ndryshme i artistëve, qofshin ata shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kompozitorë a dirigjentë, paraqet në një formë apo një tjetër vetë jetën, vetë hierarkinë me të cilën funksionon bota, ku më i madhi e sheh me sy përçmues tjetrin, njëlloj si në tregim ku Nderimi që jetonte në katin e parë kishte përshtypjen e keqem që njeriu dinjitoz si ai nuk mund të durojë as shkurt, as gjatë, se fqinjët e kateve të epërme,- e sa më i lartë të ishte kati, aq më shumë e shikonin prej një lartësie, me njëfarë përçmimi.[9] Objekti banesor fiktiv qosjan, në të vërtetë, është realiteti njerëzor, që nga fillimet e para të njerëzimit, por që në të vërtetë u shfaq me të madhe në kohën moderne, madje në masë të konsiderueshme edhe në kohën në të cilën zhvillohen ngjarjet në vepër. Edhe pse komunizmi teorik u mundua t’i shuajë këto ndarje, komunizmi praktik vetëm sa i thellojë edhe më shumë këto ndarje në klasa. Pra, tek objekti fiktiv i Qosjes kemi së pari dhunë psikologjike, ku gruaja e Kasëmit të Hoxhës ushtronte dhunë mbi Nderimin e Musës vetëm pse ajo gjendej një kat më lart se ai. Është realiteti i kohës, ku njerëz në funksione të larta ushtronin dhunë e mal­tretime të rënda, edhe pse ndoshta i maltretuari ishte vëlla e farefis.

Trekëndëshi, e kaluara si ndërtim i të sotmes

Në tregimin Trekëndëshi Qosja ravijëzon dhe shkon një hap më tutje për ndërtimin e historisë së Xhezairit të Gjikës, konkretisht raportet e tij me fqinjët. Duke i sqaruar raportet me fqinjët, citon Sartrin, konkretisht filozofinë e tij mbi tjetrin, sipas të cilit, ferri është tjetri. Më tutje, Qosja do ta ndërtojë edhe karakterin e Danjollit të Sherkës, i cili që nga fëmijëria kishte gjene të një krimineli, apo siç e quan autori përmes narratorit karakter, Xhezairit të Gjikës, i cili thotë se Danjolli mund të jetë krijuar prej gjenit të tepërt[10]. Nga kjo del në një problematikë shoqërore shqiptare, pra faktike, atë të gjak­marrjes, aty ku shqiptarët e vrasin njëri-tjetrin thuaja bigajrihak[11]. Më tej, në paraqitjen e anës psikologjike të personazheve, për­mend edhe një çështje faktike, atë të robërimit të shqiptarëve, të cilën e tregon për ta ndërtuar personazhin e Arifit të Tëhuajësimit. Arifi do të çmendet. Sipas autorit, gjithë kjo mund të ketë ndodhur për shkak të jetesës së paraardhësve në robëri dhe kjo mund të ketë shkaktuar njëfarë stërkeqje të gjeneve[12]. Në këtë tregim përmendet edhe një fakt dhe personazh tjetër historik, rrëfimi i Farukut të Egjiptit, pinjoll i Dinastisë Shqip­tare në Egjipt. Ngritja e tij e shpejt në pozitë dhe rënia nga ajo, mund të jetë si alegori e ngritjes së shpejtë në pushtete tiranike, ku edhe zbritja nga ajo pozitë, nëse jo e shpejtë, do të jetë me pasoja të mëdha.

Në këtë tregim fiktiv, përmes ndërtimit psikologjik të perso­nazheve dhe të ngjarjeve, na jep të nënkuptojmë se sa e fuqi­shme është e kaluara për ndërtimin e të tashmes dhe të ardh­mes sonë qoftë si individë, qoftë si grup shoqëror.

Mëkati, shkatërrimi dhe lufta ndaj shenjtërisë

Gjatë periudhës rankoviqiane të drejtat e shqiptarëve ishin të kufizuara, madje ata ishin në zgrip të ekzistencës etnike. Ata përballeshin me shumë ndalesa elementare të ekzistencës fizike, por edhe ndalesa të atyre që konsiderohen identitare, prej tyre edhe ndalimi i përdorimit të flamurit etnik. Flamujt shqiptarë si dhe shumë të drejta të tjera të shqiptarëve u cenuan edhe më shumë për shkak të prishjes së marrëdhënieve në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Këtë prishje të raporteve Jugo­sllavia e shfrytëzoi për ta shtuar terrorin dhe dhunën ndaj shqip­tarëve. U ndalua përdorimi i flamurit dhe i simboleve tjera kombë­tare[13]. Pikërisht në tregimin Mëkati do të trajtohet kjo proble­matikë. Danjolli i Sherkës, që në tregim është hafija i rrëfimeve e që, në fakt, është agjent i Shërbimit Informativ të Jugosllavisë, do ta hulumtojë rastin e disa flamujve shqiptarë që u gjenden në disa pemë në Vajazan. I dyshuari për këtë ishte Lec Paçarizi, të cilin Danjolli do ta shkatërrojë psikologjikisht, duke e për­dorur kartën e moralit, që te shqiptarët është e shenjtë, duke e çnderuar atë e duke ia marrë fytyrën, duke kryer marrëdhënie intime me gruan e tij në Xhaminë e Madhe. Këtu, veç të tjerash, na del edhe një luftë tjetër ndaj së shenjtës, lufta ndaj fesë, e cila, sipas komunizmit, ishte opium dhe duhet të zhdukej nga faqja e dheut. Përmes tregimit Mëkati na dalin dy të vërteta historike, që gjithnjë ndërlidhen me shkatërrimin e shenjtërisë së shqiptarëve, e para duke ua mohuar përdorimin e një simboli i cili për shumë dekada ishte simbol etnik, kurse në anën tjetër duke ua përdhosur institucionin e xhamisë përmes së cilës e fyen dhe denigron pjesën shpirtërore.

Intelektualët përballë regjimit

Në tregimin Laneti kemi ëndrrën e Xhezairit i cili sheh sikurse një krijesë që i ngjan lanetit kishte hyrë në dhomën e tij por që, në fakt, ai ishte Danjolli. Kjo paraqet gjendjen emocionale të Xhezairit, konkretisht represionin e madh që shteti bënte mbi intelektualët të cilët i mbikëqyrte hollësisht, madje ua censuronte edhe veprat. Danjolli që i erdhi në ëndërr Xhezairit ia shikon me rend librat, madje ia shikon edhe shkrimet e fundit që ai i kishte shkruar, dhe ia bënte me dije se edhe pse shkruante me alegori, nuk është që nuk kuptohej, dhe se ai e dinte realisht ku është poenta e tij, madje edhe duke e kërcënuar: A po tregon a po ta çel unë gojën ndryshe. E në ta çelsha unë kurrë s’do të mbyllet si përpara. Fol! Hajde, fol![14] Këtu kemi intelektualin kosovar, i cili mund të jetë intelektual i çdo kombi e i çdo kohe ndaj pushteteve tiranike dhe totalitare. Kjo paraqet kohën kur Adem Demaçi akuzohej për veprën Gjarpërinjtë e gjakut. Pra, Xhezairi i Gjikës në këtë tregim mund të jetë edhe personifikim i çdo shkrimtari dhe intelektu­ali i cili kishte humbur pavarësinë e mendimit.

Në tregimin Deklarata, që është bosht i veprës, gjendet dësh­mia e Xhezairit të Gjikës pas arrestimit të tij me datën 28 nëntor. Ai e jep hollësisht gjendjen dhe gjenezën e tij fami­ljare. Në të ai përmend besimin në komunizëm e veçanërisht në dy pika elementare: në barazinë mes popujve apo, siç ishte e njohur në Jugosllavi, si bashkim-vëllazërim. Kur flet për nipin e tij Vetimin, thotë se prindërit e tij kanë bërë mirë që e kanë çuar atë në një shkollë serbo-kroate, pasi kjo i kontri­buon vëllazërisë komuniste, dhe pavarësisht se hallku flasin kush e di çka, por më mirë është ashtu[15]. Elementi i dytë i rën­dësishëm që e mbron Xhezairi i Gjikës e që është parim themeltar i komunizmit është emancipimi i popullit dhe largimi nga traditat e vjetra dhe sidomos religjioni. Ai do të deklarojë se populli do të emancipohet shpejt, në sajë të kujdesit të partisë sonë komuniste, që ne kohë e ka kuptuar dyfytyrësinë e klerit dhe dëmin e fesë.[16] Bindjet marksiste që janë bazament themel­tar i komunizmit janë bindje personale të Xhezairit, madje vërehen se janë edhe ideale të jetës së tij, për të cilat është në gjendje t’i kundërshtojë ata të cilët nuk i përmbahen kësaj rruge. Ai thotë se jam i edukuar në frymën e ateizmit të Marksit dhe, meqë nuk u besoj zotit, nuk u besoj as shpjegimeve frojdiste të ëndrrave.[17] Këtu ngrehet edhe revolta e tij ndaj bashkëmen­dimtarëve ideologjikë, pasi që besimet në Zot bien në kundër­shtim me idealet marksiste. Për ta dëshmuar edhe më tej besimin në komunizëm, Xhezairi do ta përmbyllë deklaratën e tij me maksimën e Luftës Nacional Çlirimtare: Liri popullit; Vdekje fashizmit! Duke i parë fjalët Xhezairi na del intelektuali që nuk lufton deri në fund për çlirim nga ideologjia. Në lidhje me këtë, studiuesi Nysret Krasniqi potencon se Xhezairi i Gjikës bën thirrje për individualitet krijues dhe liri krijuese, por pa e dërguar kurrë deri në pikën kulmore të refuzimit total të diktaturës pushtetare.[18]

Qosja brenda tregimit Deklarata, përmes rrëfimit të Xhezairit të Gjikës,përmend edhe dy fakte historike që kanë ndodhur në Jugosllavi. E para është rreth politikës së jashtme të Jugoslla­visë, që është prishja e marrëdhënieve me BRSS-në e Stalinit në vitin 1948, si dhe problemi i brendshëm që ka të bëjë me dëgjimin e radiostacioneve të huaja, që aludohej në radiot e Shqipërisë, kryesisht Radio Tirana, Radio Kukësi si dhe radiot e tjera që shtrinin valët e tyre në territorin e Kosovës. Xhezairi do të akuzohej pikërisht për të, por ai prapëseprapë do të mbrohej, duke lavdëruar punën e radiove lokale, kur thotë se radiostacionet tona më mjaftojnë, kanë muzikë moderne, e klasike dhe lajme të sakta për krejt botën.[19]

Në tregimin Vetmia paraqitet gjendja pas lirimit të Xhezairit nga burgu. Në njërën anë ai ndeshet me tradhtinë e bashkë­shortes së tij, Rudinës, në anën tjetër me tradhtinë e shokëve, të cilën do ta lënë të vetmuar sapo Danjolli do të hyjë në kafenenë ku ata qëndronin. Rrënimi i mitit të Penelopës nga Qosja, për gruan që pret burrin dinjitetshëm, paraqet egërsinë e pushtetit komunist mbi intelektualët të cilëve u hynte edhe në familje dhe në shoqëri.

Kështjella – e vërteta e totalitaritetit

Në pjesën kryesore të tregimit Kryevepra që na del rrëfim në vetën e dytë jepen detaje nga rrëfimi i Xhezairit, i cili tregon se çfarë kishte bërë një ditë më parë. Në këtë tregim kemi varrimin e Rinushit, si dhe tregimin alegorik Kështjella magjike, në të cilën përmes kështjellës paraqitet një sistem totalitar, në të cilën njerëzit që hyjnë brenda dhomës magjike bëhen spiunë a shërbëtorë të pushtetit. Qosja përmend edhe një simbol etnik të shqiptarëve, shqiponjën që nënkuptohet se shqiptarët janë në kërkim të lirisë apo, siç thotë, pa i parë edhe njëherë shqiponjat si ngjiten krenare në mbretërinë e tyre të lirë.[20] Dhoma magjike është si një alegori e dhomës së torturave në sistemin komunist, ku njerëzit detyroheshin t’i pranonin edhe krimet që s’i kishin bërë dhe disa prej tyre për ta ruajtur jetën e tyre dhe të familjes detyroheshin të bëheshin bashkëpunë­torë të pushtetit në dëm të bashkëkombësve dhe idealeve të tyre.

Në tregimin vijues, te Metamorfoza, ngrehet një problematikë tjetër, ajo e dënimit të njerëzve me fakte të fabrikuara dhe të rreme nga pushteti jugosllav. Ky fenomen i goditi rëndë shqip­tarët të cilët akuzoheshin e dënoheshin për krime të rënda që asnjëherë nuk i kishin kryer. Gjithë kjo kulmoi me aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, të cilën Qosja e përmend ku thotë se unë ia kam dëgjuar piskamën në zyrën time, por nuk kam parë me sy si e kanë rrahur, çfarë mjetesh kanë përdorur që t’ia nxjerrin fjalët, që ta detyrojnë të tregojë së ku i ka fshehur armët. Ndoshta është dashur ta them një fjalë: të them ta lëshojnë se nuk mund të pjellë i ziu armën në qoftë se nuk e ka.[21] Sipas të dhënave të kohës, ky aksion filloi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por kulmoi në dimrin e vitit 1955/56, ku nga bastisjet dhe maltretimet e rënda nëpër të cilat do të kalojnë mbi tridhjetë e pesë mijë vetë, do të gjejnë vdekjen mbi katërqind vetë.[22]

Qosja, teksa tregon për mizorinë e treguar nga Danjolli i Sherkës, nga frika e dorës së tij sa shumë familje kanë shkuar në Turqi[23], tregon edhe një fakt historik, pra largimin e shqip­tarëve të Kosovës në drejtim të Turqisë pas memoran­dumit të bashkëpunimit në mes të Jugosllavisë dhe Turqisë për shpër­nguljen e atyre që nga pavetëdija e nga dhuna u shënuan si turq, por që realisht ishin shqiptarë.

Topika dhe ngjarjet në tregimin Vetëvrasja

Në tregimin Vetëvrasja Danjolli rrëfen përballjen e tij me të torturuarit, me të cilët takohet në ëndërr, në kllapi. Ky tregim ka veçantinë e tij për shkak se Vajazanit i jep atribute të Prishtinës. Në këtë tregim kemi denduri të përmendjes së vendeve dhe ngjarjeve historike, të tilla si Monumenti i Bashkim-Vëllazërimit, Xhamia e Madhe, dhe një sërë vendesh të tjera të cilat mund t’i gjejmë edhe sot në Prishtinë. Më tej jepen data të rëndësishme historike, të tilla si 27 nëntori, një ditë para Festës së Flamurit, dhe Danjolli këtë e përshkruan tre flamujt në një shtyllë, por që nuk specifikon se cilët, por që në bazë të të drejtave që shqiptarët fituan pas demonstratave të nëntorit të 1968-s, na del të jenë flamuri shqiptar, serb dhe ai jugosllav. Në fund, Danjolli vetëvritet. Vetëvrasja e Danjollit të Sherkës mund të jetë alegorik, pasi vetëvrasja e tij mund të nënkuptohet si perëndim i epokës rankoviqiane dhe ardhja e një kohe të ndritur për shqiptarët e Kosovës, pra Kushtetutës së 1974-s, e cila, edhe pse nuk ua plotësonte kërkesat dhe ambiciet shqiptarëve, u ofronte liri dhe barazi më shumë se në periudhat paraprake të cilat përshkruhen edhe nga autori përmes jetës dhe rrëfimit të Xhezairit.

Literatura

  • Qosja, Rexhep, Dëshmitar në kohë historike I, Toena, Prishtinë, 2014
  • Mekuli, Hasan, Romani shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë. 2000
  • Tomekoviq, Borisllav, Psikologjia, Enti i Botimeve të Teksteve të Republikës së Serbisë, Beograd, 1965
  • Krasniqi, Bajram, Komunikime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1980
  • Qosja, Rexhep, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Toena, Tiranë, 2001
  • Malcolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2011
  • Krasniqi, Nysret, Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016
  • Buxhovi, Jusuf, Kosova – nga Konferenca e Loondrës deri te protektorati ndërkombëtar, Faik Konica, Prishtinë, 2012

[1] Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike I, Toena, Prishtinë, 2014, f. 325.

[2] Hasan Mekuli, Romani shqiptar, Libri shkollor, Prishtinë, 2000, f. 191.

[3] Borisllav Tomekoviq, Psikologjija, Enti i Botimeve të Teksteve të Republikës së Serbisë, Beograd, 1965, f. 278.

[4] Hasan Mekuli, Romani shqiptar, f. 197.

[5] Bajram Krasniqi, Komunikime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 37.

[6] Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Toena, Tiranë, 2001, f. 4.

[7] Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2011, f. 402

[8] Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, f. 22.

[9] Po aty f. 38.

[10] Po aty f. 51.

[11] Po aty f. 60.

[12] Po aty f. 61.

[13] AShAK, Kosova – vështrim monografik, AShAK, Prishtinë, 2011, f. 241.

[14] Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, f. 92.

[15] Po aty f. 106.

[16] Po aty f. 112-113.

[17] Po aty f. 124.

[18] Nysret Krasniqi, Letërsia e Kosovës, AIKD, Prishtinë, 2016, f. 246.

[19] Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, f. 121.

[20] Po aty f. 171.

[21] Po aty f. 220.

[22] Jusuf Buxhovi, Kosova – nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar, Faik Konica, Prishtinë, 2012, f. 316-317.

[23] Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, f. 224.

 

Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ALBANË MEHMETAJ Karakteristikën kryesore të këtyre tregimeve e jep figura…