Fakulteti i Filologjisë përmbytet nga shiu (Foto)
Shiut që po bie në kryeqytet nuk i ka shpëtuar pa dëme materiale as Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Rënia e vazhdueshme e shiut ka shkatërruar salla, zyra dhe pajisje të ndryshme të këtij fakulteti.
Ndaj kësaj gjendje ka reaguar profesori i Degës së Gazetarisë, Milazim Krasniqi, duke thënë se organet përkatëse nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për ta sanuar gjendjen.
Sipas tij, është e papranueshme që deri më tani nuk ka asnjë reagim nga firma që e ka hequr kulmin dhe nga MAShT-i.
“Pamje të trishtueshme në Fakultetin e Filologjisë dhe FShMN: shiu po shkatërron sallat, zyrat, pajisjet. Tërë ditën asnjë reagim nga firma që e ka hequr kulmin dhe e ka lënë objektin zbuluar. Asnjë reagim as nga rektorati (zyra që shihet është e njërit nga prorektorët!) Asnjë reagim nga MAShT. Çka do të thotë krejt kjo heshtje? Ne sot patëm gëzimin e diplomimit të studentëve, të cilin na e lëndon kjo gjendje e trishtueshme e fakultetit dhe kjo indiferencë e institucioneve. Thjesht e sheh njeriu me sy mjerimin dhe nuk arrin ta besojë deri ku ka shkuar degradimi në këtë vend”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/