Fakulteti Juridik dhe Oda e Avokatëve të Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Të premten është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit në mes të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).
Ky memorandum i bashkëpunimit është rezultat i një komunikimi të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik me institucionet e drejtësisë në Kosovë, e në veçanti me Odën e Avokatëve, në kuadër të procesit të reformës së planprogramit, rikonceptimit të mësimit klinik dhe funksionalizimit të Qendrës për Studime Klinike (QSK), që konsiston në aplikimin e klinikave ligjore (sipas një modeli të avancuar të “Live Clinic” apo kryerjes së shërbimeve juridike falas/pro bono nga ana e studentëve, nën mbikëqyrjen e profesorëve, dhe ekspertëve të drejtësisë).
Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi në mes të Fakultetit Juridik dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, për fuqizimin e komponentës së mësimit klinik dhe aspekteve tjera të praktikës së studentëve, me qëllim të përgatitjes së juristëve të rinj për tregun e punës, si edhe ofrimin e ekspertizës nga personeli akademik në hartimin e legjislacionit sekondar dhe hartimin e dokumenteve të tjera të rëndësishme për OAK-në.
Përveç angazhimit të avokatëve në kuadër të QSK dhe ekspertizës së personelit akademik, memorandumi parasheh edhe draftimin e programit për klinikat ligjore, përfshirjen e partnerëve në aktivitetet me studentë, trajnimet e përbashkëta, organizimin e seminareve, konferencave dhe aktiviteteve tjetra nga fusha e sundimit të ligjit.
Memorandumi është nënshkruar nga dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Avni Puka dhe kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi.