Fakulteti Juridik i UP-së pjesë e Asociacionit Evropian të Fakulteteve Juridike
Nga janari i vitit 2020, Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të jetë pjesë e Asociacionit Evropian të Fakulteteve Juridike (European Law Faculties Associaton).
Me rastin e këtij suksesi, presidenti i ELFA-s Marek Grzybowski i ka përcjellë mirëseardhjet më të ngrohta për fakultetin.
Pranimin e Fakultetit Juridik në këtë asociacion e ka konfirmuar edhe sekretari i ELFA-s, Milagros Orozco Hermoso, përmes një emaili drejtuar menaxhmentit të këtij fakulteti.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur të konfirmojmë që Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është bërë anëtar i asociacionit tonë, zyrtarizimi i të cilit do të bëhet më 1 janar 2020”, tha ai.
Në njoftimin e përcjellë nga Fakulteti Juridik, menaxhmenti i tij ka falënderuar rektoratin e UP-së për mbështetjen e kësaj iniciative, e cila do të krijojë mundësi më të mëdha për fakultetin, profesoriatin dhe studentët e këtij fakulteti në të ardhmen.
ELFA është themeluar në vitin 1995 në Leuven të Belgjikës nga rreth 80 fakultete juridike nga vende të ndryshme, ndërsa tani numëron rreth 250 anëtarë. ELFA luan rolin e një forumi ndërkombëtar për diskutim të çështjeve në fushën e edukimit ligjor, si dhe negocion dhe nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me agjenci qeveritare dhe edukative në Evropë dhe më gjerë.
Misioni i ELFA-s është që të përfaqësojë dhe të promovojë interesin e anëtarëve të saj në fushën e edukimit dhe hulumtimit ligjor, karshi institucioneve të Unionit Evropian, organizatave ndërkombëtare, si dhe asociacioneve të profesionistëve në fushën e ligjit.
/Epoka e re/