Fakulteti i Mjekësisë rrezikon të mbyllet
Fakulteti i Mjekësisë dhe disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitin 2021 rrezikohen të mbyllen për shkak të mungesës së stafit akademik dhe mjekësor.
Kështu ka deklaruar koordinatori për cilësi, Fisnik Kurshumliu, në tryezën me temën “Kriza e ekzistencës së klinikave të QKUK-së si pasojë e mungesës së profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë”, e cila është organizuar nga Fakulteti i Mjekësisë.
Kurshumliu ka theksuar se duke e krahasuar gjendjen e tanishme të profesorëve me atë të vitit 2000, shihet qartë se ka rënie të numri të profesorëve.
Sipas tij mungesa e stafit akademik ka implikime serioze edhe në ekzistencën e klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kurshumliu ka rekomanduar që të bëhet integrimi i pagës arsimore dhe shëndetësore në një kontratë të vetme.
Ndërsa këshilltari i kryeministri të Kosovës, Luan Jaha, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e shqetësuar për gjendjen e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Sipas tij, kjo situatë ka ardhur si pasojë e interpretimit të kritereve të Marrëveshjes së Bolonjës, e cili ka qenë e bazuar në kushtin e moshës, dhe rritja e pagave në arsim në vitin 2007.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se janë të gatshëm që të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë.
Më tutje, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e ka pranuar se gjendja e krijuar në Fakultetin e Mjekësisë kërkon një mobilizim të gjerë me qëllim të gjetjes se një zgjidhje afatgjate.
Krejt në fund, rektori i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka kërkuar nga Qeveria që të rritë mbështetjen buxhetore ndaj UP-së.