Falë mbështetjes së ShBA-së, Shqipëria rritë kapacitetet me helikopterë “Black Hawk” për Forcën Ajrore
Forca Ajrore shqiptare do të modernizohet falë mbështetjes së Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Gjatë qëndrimit në ShBA, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka vizituar Gardën Kombëtare të Nju Xhersit në Bazën e Përbashkët McGuire-Dix-Lakehurst, ku u prit nga komandanti i saj, gjeneral brigade Jemal J. Beale.
Gjatë kësaj vizite u finalizua marrëveshja dypalëshe mes Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për marrjen e disa helikopterëve të tipit “Black Hawk”.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e vlerësoi këtë si një ndihmë të jashtëzakonshme që i jepet Shqipërisë.
“Me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes dhe me qeverinë amerikane finalizuam marrëveshjen për të modernizuar flotën tonë ajrore, duke rritur kapacitetet e saj me helikopterë të tipit “Black Hawk”. Falë kësaj mbështetjeje të jashtëzakonshme të aleatit tonë strategjik, do të rritet edhe gatishmëria dhe operacionaliteti i Forcës tonë Ajrore. Garda kombëtare e New Jersey-it, të cilën pata kënaqësi ta vizitoj gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjë gjithashtu trajnimim e pilotëve dhe teknikëve tanë si dhe do të kujdeset për mirëmbajtjen e helikopterëve”, ka shkruar Xhaçka në llogarinë e saj në “Facebook”.